Hakerohet ‘Pornhub’, vidhen të dhënat e më shumë se 200 milionë përdoruesve
Të dhënat që i përkasin më shumë se 200 milionë përdoruesve të Pornhub, një prej faqeve pornografike më të mëdha të internetit në botë, thuhet se janë aksesuar nga një grup hakerash.
Faqja tha, në një deklaratë, se “një palë e paautorizuar fitoi akses të paautorizuar në të dhënat analitike”, në lidhje me disa nga përdoruesit e saj Premium.
Sipas BleepingComputer, një faqe interneti e pavarur lajmesh për teknologjinë, të dhënat u aksesuan nga një grup hakerash me bazë në Perëndim, i njohur si ShinyHunters.
Informacioni thuhet se përfshin zakonet e shikimit, historikun e kërkimit dhe të dhënat e vendndodhjes.
Pornhub tha se incidenti përfshinte të dhëna nga një “ofrues i shërbimit të analizave të palës së tretë”, dhe preku vetëm përdoruesit “e zgjedhur” Premium.
Uebsajti në pronësi kanadeze tha se incidenti “nuk ishte një shkelje e sistemeve të Pornhub Premium” dhe konfirmoi se fjalëkalimet, detajet e pagesës dhe informacionet e tjera financiare ishin të sigurta.
Megjithatë, sipas BleepingComputer, Pornhub kishte marrë një kërkesë për zhvatje nga ShinyHunters, në lidhje me sulmin kibernetik.
Pornhub tha se që nga viti 2021, nuk punonte më me Mixpanel, një kompani që i kishte ofruar analiza të dhënash botuesit, duke rritur mundësinë që të dhënat të jenë disa vjeçare.
Kompania tha se menjëherë nisi një hetim të brendshëm dhe se po bashkëpunonte me autoritetet përkatëse dhe me Mixpanel.
“Po punojmë me zell për të përcaktuar natyrën dhe fushëveprimin e incidentit të raportuar”, shkroi faqja pornografike.
Pornhub ka më shumë se 100 milionë vizita ditore në nivel global, sipas kompanisë./ Euronews.