Ndalohen lejet e reja për Airbnb në qendrën e Selanikut, ja zonat e prekura

Pas qendrës së Athinës, qeveria greke vendos të shtrëngojë masat edhe në Selanik, duke vendosur një “vijë të kuqe” për lejet e reja të qirave afatshkurtra Airbnb në zonat më të ngarkuara të qytetit.

Plani i shpallur nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe i zbardhur nga media greke protothema.gr, parashikon që nga 1 marsi 2026 dhe për gjithë vitin 2026 të ngrihet dhënia e lejeve të reja për qira afatshkurtra në Bashkësinë e Parë Bashkiake të Bashkisë së Selanikut, sipas modelit të zbatuar tashmë në tre distriktet kryesore të Athinës. Qeveria lë të hapur mundësinë që masa të zgjatet edhe në vitet pasuese.

Në praktikë, masa prek qendrën historike, tregtare dhe turistike të Selanikut, zonën me përqendrimin më të lartë të Airbnb-ve dhe presionin më të madh mbi tregun e qirave.

Bëhet fjalë për një zonë që nis nga Sheshi Aristotelous dhe shtrihet përgjatë rrugëve Egnatia dhe Tsimiski, duke përfshirë boshtin kryesor tregtar dhe trekëndëshin historik të tregut.

Ndalimi përfshin gjithashtu Ladadikën, zonën e Portit, si dhe gjithë vijën bregdetare nga porti deri te Kulla e Bardhë, ku përdorimi turistik i banesave ka dominuar vitet e fundit, duke kufizuar ndjeshëm strehimin për banorët e përhershëm.

Në hartën e zonave të kufizuara përfshihen edhe lagjet rreth Rotondës, Kamarës dhe Navarinou, si dhe pjesë të Valaoritou, zona që më parë kishin karakter kryesisht rezidencial ose profesional dhe që sot janë kthyer masivisht në akomodime turistike. Masat prekin edhe Ano Polin, e cila vitet e fundit është futur fuqishëm në tregun e Airbnb për shkak të pozicionit dhe pamjes panoramike.

Zgjedhja e Selanikut nuk është e rastësishme. Qeveria greke ndjek të njëjtin model të aplikuar në Athinë, ku ngrirja e lejeve të reja të Airbnb-ve ndihmoi në frenimin e humbjes së banesave nga tregu i qirave afatgjata. Sipas burimeve qeveritare, të dhënat nga kryeqyteti treguan ngadalësim të shtimit të akomodimeve të reja dhe zhvendosje të interesit të investitorëve jashtë qendrës.

Shifrat flasin qartë: në Bashkinë e Selanikut janë të regjistruara rreth 7,500 njësi qiraje afatshkurtër, nga të cilat 4,800 ndodhen vetëm në Bashkësinë e Parë Komunale. Ndërkohë, deklarimet e qirave afatshkurtra pothuajse janë dyfishuar mes viteve 2022 dhe 2024, duke reflektuar zgjerimin e shpejtë të fenomenit.

Zbatimi i masës do të bëhet përmes Regjistrit të Qirasë Afatshkurtër të AADE-s, ku regjistrimet e reja do të bllokohen në zonat e kufizuara. Viti 2026 do të shërbejë si vit “prove”, për të vlerësuar nëse masa ul presionin mbi qiratë dhe rikthen banesat në tregun afatgjatë.

Një element kyç i paketës është edhe fakti se lejet ekzistuese nuk do të transferohen. Në rast se një pronë shitet, trashëgohet apo transferohet, ajo fshihet automatikisht nga

Regjistri i Qirasë Afatshkurtër dhe nuk mund të vazhdojë të funksionojë si Airbnb, por duhet të jepet me qira afatgjatë ose të përdoret nga pronari.

Masa dërgon një sinjal të fortë edhe për tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndryshuar kushtet për investimet që synojnë ekskluzivisht qiratë afatshkurtra në qendrat urbane.

Me ngrirjen e lejeve të reja dhe ndalimin e transferimit të atyre ekzistuese, qeveria synon të mbyllë praktikat e blerjes së apartamenteve “me Airbnb gati”, të cilat vitet e fundit kanë çuar në rritje të fortë të çmimeve dhe zhvendosje të banorëve vendas.