Inzaghi ka gjetur ‘parajsën’ në Riad, planifikon takimin simbolik me Interin
Simone Inzaghi duket se nuk ka asnjë pendesë për largimin nga Interi dhe transferimin tek Al Hilal në Arabinë Saudite. Trajneri nga Piacenza po shijon plotësisht jetën e re, të cilën e përshkruan pa hezitim si “një parajsë”.
Kjo javë ka edhe një vlerë simbolike, pasi Interi ndodhet në Riad për Superkupën Italiane, shumë pranë selisë së klubit arab, duke e bërë të mundur një takim miqësor me ish-skuadrën e tij.
Sipas ‘Gazzetta dello Sport’, Inzaghi ka kontaktuar drejtuesit e Interit për të përshëndetur miqtë e vjetër dhe për të mbyllur një kapitull pas muajsh heshtjeje. Interi është akomoduar në “Four Seasons” brenda “Kingdom Center”, rreth 20 km larg nga Al Hilal, dhe takimi pritet të zhvillohet në një vend neutral, pasi klubi arab nuk luan ndeshje deri më 22 dhjetor.
Ndërkohë, Inzaghi po jeton një të tashme luksoze dhe triumfuese: 25 milionë euro neto në vit, jetesë komode me familjen dhe stafin, 13 fitore radhazi, vendi i parë në grupin e Champions-it Aziatik dhe ndjekja e rivalit të famshëm, Al Nassr të Cristiano Ronaldos, në “Saudi Pro League”. “Këtu është parajsë, jam si zot. Askush s’do të ikë. Kam fituar 13 ndeshje rresht, por nuk relaksohem,” shprehet trajneri.