'De-sorosifikim' të Shqipërisë, Hoxha: Duhet mobilizim i çdo energjie opozitare përballë qeverisë më të korruptuar në Evropë
Partia Demokratike nis një betejë të re politike në dy fronte: rrëzimin e qeverisë Rama përmes protestave të pandalshme dhe një proces të brendshëm të quajtur “de-sorosifikim”. Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Lisandër Hoxha i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, zbardhi detajet e vendimeve të marra në mbledhjen e fundit të këtij forumi, duke theksuar se prioriteti absolut i opozitës është mobilizimi total kundër asaj që ai e cilësoi “qeveria më e korruptuar në Evropë”.
Hoxha tha se, “Këshilli Kombëtar ka miratuar në parim propozimin e tij për të nisur “luftën e desorifikimit të Shqipërisë”, duke nisur nga vetë radhët e parties”. Ky proces synon të luftojë atë që ai e përkufizoi si “mercenarizëm politik”, ku përfaqësues të lartë politikë zgjedhin interesin personal financiar, të lidhur me rrjetet e George Soros, përpara interesit publik.
“Një njeri që i është financuar arsimi, ka qenë ekspert në projektet e Soros dhe ka përfituar fonde, nuk mund të jetë në nivelet më të larta të partisë,” deklaroi Hoxha. Ai shtoi se do të ngrihet një grup pune për të integruar këto parime në kodin e etikës së PD-së, duke vendosur një standard të ri moral për të ardhmen e së djathtës dhe për të shmangur infiltrime nga “organizatat e majta”.
Në frontin tjetër, atë të aksionit opozitar, Hoxha gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, bëri thirrje për protesta të vazhdueshme dhe një rezistencë të gjatë qytetare, duke paralajmëruar se opozita duhet të jetë e përgatitur për sakrifica. Ai konfirmoi se qëllimi final është largimi i qeverisë, ndërsa theksoi se “ditët e Ramës janë të numëruara”. Sipas tij, SPAK zotëron katër dosje me prova të mjaftueshme për të arrestuar kryeministrin dhe se vendi do të shkojë drejt një qeverie teknike.
Hoxha paralajmëroi gjithashtu për një “mega-skandal” që pritet të bëhet publik në Bruksel, i cili, sipas tij, lidh financiarisht kryeministrin Rama me studio ndërkombëtare ndërtimi që paguajnë përfaqësues të lartë europianë.
Lidhur me protestat e paralajmëruara nga disa parti opozitare në data të ndryshme, Hoxha ishte kritik, duke i quajtur përpjekje për të “inflacionuar” dhe “bërë qesharake” kauzën. Ai ftoi të gjitha forcat politike që e konsiderojnë regjim qeverinë Rama t’i bashkohen protestës së 22 dhjetorit të thirrur nga Partia Demokratike.
Flavio Qarri: Këshilli Kombëtar i PD ka marrë disa vendime, ka pasur disa propozime. Gjithçka ka ndodhur aty do përpiqemi ta kuptojmë në këto momente. Anëtarin e këtij këshilli e kemi bezdisur në këtë mëngjes, zotin Lisander Hoxha. Mirëmëngjes, mirë se erdhët.
Lisander Hoxha: Mirëmëngjes dhe kënaqësi.
Flavio Qarri: Faleminderit shumë. Çështja, praktikisht u duk sikur e gjithë kjo zallamahi e madhe e javëve të fundit u bë që ky këshill të mblidhej më në fund. U mblodhët. Si ishte?
Lisander Hoxha: E domosdoshme mbledhja e Këshillit Kombëtar. Kuptohet që prevalon interesi i shqiptarëve para çdo diskursi të brendshëm politik, i cili është mobilizimi i çdo energjie opozitare përballë qeverisë më të korruptuar në Evropë dhe nevojës emergjente që PD-ja ka për t'i prirë protestave pa ndalim deri në rrëzimin e qeverisë. Kjo është, nuk nuk nuk ka asgjë që krahasohet me këtë. Kishte dhe ka nevojë që të ketë diskutime brenda Partisë Demokratike. Ka njerëz që kanë ide, kanë mendime, kanë perceptime për organizimin, kanë perceptime për mënyrën e funksionimit, për rregullore. Këto janë krejt normale në një parti politike dhe kjo e bën të shëndoshë PD-në. Nga ana tjetër është OMERTA.
S'ka as parti, as organe, as diskutime. Ke dëgjuar ndonjë kritikë? Absolutisht që s'ka. Po s'ka se s'ka demokraci. Ata janë një organizatë kriminale e cila është provuar tashmë që çdo pushtet e përdorin si e si të vjedhin pasuritë publike të këtij vendi, xhepat e shqiptarëve për të mbushur xhepin e vet. Këtej ka parti politike, ka ide kundra ideve që prevalojnë, ka përplasje mes njerëzve, por kjo është demokracia në fund të ditës dhe s'kemi pse ankohemi. Pra, të bërit lajm PD-ja pse ka debate të brendshme, është gjëja më normale në një vend demokratik.
Puna është se këtu e shfrytëzojnë. E shfrytëzojnë sikur thelbi i problemeve qenka PD-ja dhe nuk është PS-ja që po ushtron pushtetin çdo ditë.
Flavio Qarri: Por në mënyrë kapilare.
Lisander Hoxha: Por por mbledhja e Këshillit Kombëtar kishte një fillim dhe fillimi i saj ishte bashkimi i çdo demokrati përballë Edi Ramës. Sigurisht që ka patur nevojë që të kishte edhe diskutime të tjera, edhe miratim propozimesh, të cilat në respekt të kërkesës së liderit të Partisë Demokratike, kryetarit të saj, profesor doktor Sali Berishës, ne vendosëm t'i trajtojmë në një mbledhje tjetër dhe unë gjykoj që PD-ja ka vërtet nevojë të reflektojë mbi mundësitë e saj për ta manifestuar veten me më të mirën e saj. Unë kam çuar një propozim, të cilin kam shtatë muaj që e them dhe në media.
Kush është propozimi? Propozimi është që të fillojmë luftën e de-sorifikimit të Shqipërisë nga Partia Demokratike dhe të luftojmë një fenomen të shëmtuar.
Të luftojmë një fenomen të shëmtuar në Shqipëri që quhet mercenarizëm politik, ku një përfaqësues i lartë politik zgjedh interesin e xhepit të vet para interesit të përfaqësimit publik. Pra, kemi parasysh rastin e atyre që janë përfitues direkt të fondeve të qeverisë më të korruptuar të Europës. Ne e dimë si jep tenderat dhe koncesionet qeveria, me SMS-ra, me favore. Pra këta njerëz, për mendimin tim, për mendimin e demokratëve, nuk janë të denjë për të qenë përfaqësues në kauzat tona se ata të shesin rrugës. Pra ti nisesh për betejë dhe ai të lë rrugës, ta prish misionin e me radhë. Këto ishin parime morale, të cilat i shërbejnë më shumë të ardhmes së PD-së sesa të tashmes së PD-së dhe janë miratuar në parim, të cilat një grup pune, ku edhe unë do bëj pjesë, do gjejë mënyrën për t'i integruar brenda kodit të etikës së Partisë Demokratike.
Flavio Qarri: Pyetja është, sa e sorosizuar është PD-ja në këto momente? Që ka nevojë për këtë desorifikim.
Lisander Hoxha: Unë jam i këtij mendimi. Në një shoqëri ku Sorosi të kontrollon reformën në drejtësi, avokatin e popullit, kuadrin e qeverisë, ku të kontrollon të gjitha organizatat dhe shoqatat, se këto janë faktike, janë provuar tashmë, ku ka trajnuar me dhjetëra gazetarë për të patur një opinion publik të orientuar tërësisht aty ku Sorosit i ka interesuar, unë mendoj që opozita nuk është një organ nga Marsi. Jeton në këtë realitet dhe nuk ka asnjë lloj imuniteti krahasuar me të gjitha organet e tjera të shoqërisë shqiptare. Ne nuk e bëjmë për luftë klasash aty, që t'i bëjmë me gisht njëri-tjetrit, ti je i përjashtuar, ti je i larguar, ti kështu, ti ashtu. Ne e bëjmë për të vendosur një standard. Se çfarë kuptimi ka që në mesin tonë, ku ne kërkojmë publikisht mbështetjen e shqiptarëve për axhendat e djathta, të ketë njerëz që janë të lidhur qoftë financiarisht, qoftë karriera e tyre me kryekorruptorin e demokracisë dhe armikun kryesor në botë të së djathtës. Ka kuptim, ka sens kjo gjë?
Flavio Qarri: Sigurisht që jo.
Lisander Hoxha: Atëherë pse ne mos marrim një masë parandaluese, pa akuzuar kërkënd, pse ne mos fusim një filtër brenda Partisë Demokratike që në nivelet më të larta të saj të mos promovohen persona që karrierën e kanë të lidhur me organizatat e majta, sepse i bie të bësh vetëvrasje.
Cili, cili organ politik i djathtë në botë do të donte që në mesin e vet të kishte njerëz të promovuar dhe nuk po them thjesht të shkolluar, sepse fjala shkollim pastaj e kalojmë në banalitet. Ka njerëz që në vitet '90 nuk e kanë ditur çfarë është Sorosi. Këtu ka hyrë lloj-lloj organizatash fetare, jo fetare, artistike, politike, njerëzit nuk i kanë ditur dhe kanë shfrytëzuar një mik, një shok...
Flavio Qarri: Çdo mundësi që kanë pasur për të gjetur një bursë.
Lisander Hoxha: Atëherë prandaj u miratua në parim dhe do të duhet diskutuar se kush janë elementët kryesorë që e bëjnë dikë Sorosist. Unë mendoj që një njeri që i është financuar arsimi, më pas është ekspert i Sorosit nëpër projekte, ka përfituar dhe fonde dhe ka një datë të caktuar se kur Sorosi u bë i rrezikshëm për Shqipërinë, pra kur u kuptua që ky po përdor paratë që ka futur në Shqipëri, influencën e vet për të prodhuar një elitë të re politike, e cila do marri pushtetin dhe do ndjeki axhendën e tij, kjo do një përshtatje dhe unë mendoj që këtë përshtatje bashkë me grupin e punës, do ta bëjmë në mënyrën më të mirë, pa sakatuar dikë publikisht, pa i bërë dikujt një padrejtësi, por thjesht të kemi një standard, të cilin mendoj që i shërben shumë të djathtës, por mbi të gjitha hap një derë që nesër të mos kemi probleme. Zotëri, sot në Shqipëri prevalon stabilokracia. Nuk bën dot një punë të mirë sepse çohen 10 të tjerë që bëjnë si të pavarur, por janë tek ajo listëpagesa e Sorosit, më beso për këtë që them, dhe delegjitimojnë çdo kauzë. Që nga protesta e studentëve. A kishte gjë më të pastër se protesta e studentëve 2019-ën?
Çfarë bëri grupi i Erion Velisë dhe i Sorosit? Ju kujtohet? Nxorri 10 veta para kamerave se këta janë mjeshtra, për të bërtitur jo politik, jo politik. Po a kishte gjë më politike se ajo kërkesë? Po ishte kundër qeverisë. Pra, intimidimi i njerëzve për t'ju ardhur turp që janë me opozitën, është një kulturë e infiltruar nga ky grup '99-çash, të cilët mundohen të shfrytëzojnë çdo gjë për të devijuar dhe manipuluar publikun. Ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë. Kur është problem për SHBA-në Sorosi, i cili thotë do ta trajtojë me ligjin RIKO, që është ligji për krimin e organizuar, për pastrimin e parave. Kur është problem për Italinë, sa e sa deklarata të kryeministres Meloni ke për Sorosin. Kur është problem për Bullgarinë, e cila para një muaji ka miratuar një ligj dhe ka ngritur një komision parlamentar i cili do të hetojë veprimtarinë e Sorosit.
Më fal, po ne çfarë imuniteti kemi? Ne jemi një vend më pak demokratik se këto vende, ne jemi një vend më pak i zhvilluar, me institucione më pak të zhvilluara se këto vende. Ne duhet ta nisim nga PD-ja në mënyrë që pastaj të pastrojmë Shqipërinë. Dhe PD-ja duhet të reflektojë moral, duhet të reflektojë, domethënë violinat e para të aksioneve opozitare duhet të jenë njerëzit më të mirë të Partisë Demokratike.
Flavio Qarri: Tani, situata ligjore e kryeministrit duket goxha e vështirë zoti Hoxha. E zëmë, vjen PD-ja në pushtet shumë shpejt. Cila është qasja juaj ndaj administratës monumentalisht të madhe që ka ndërtuar Partia Socialiste dhe sigurisht kryeministri Rama?
Lisander Hoxha: Filozofia e PD-së në radhë të parë është një qeverisje e vogël dhe efiçente. E djathtë patjetër, por e vogël dhe efiçente çfarë do të thotë? Që nuk mund të kesh një administratë kaq të madhe, e cila absolutisht e merr rrogën kot, për të bërë like Facebook e share. Së dyti, kur themi efiçente do të thotë që secili prej njerëzve të ndershëm të këtij vendi, që nuk është patronazhist, po e bën punën e vet, nuk do ketë asnjë problem. Pjesa tjetër, të cilët janë të futur në punë thjesht si patronazhistë për të mbikëqyrur e për të deformuar procesin zgjedhor, më vjen keq por nuk e kanë vendin aty. Dhe kjo është gjëja më normale që mund të ndodhi. Edhe në 2005 kur erdhi Partia Demokratike, nuk ka bërë spastrime. 60.000 punonjës hoqi në dy vite Edi Rama. PD-ja, të gjithë ekspertët që kishin vite në punë, vazhduan punën të qetë dhe i shërbyen vendit të tyre me sa mundën.
Ishte ajo administratë që me punë të jashtëzakonshme hoqi vizat për shqiptarët. Më besoni, nuk ka qenë thjesht një vendim politik. Janë arritur standardet. Ishte ajo administratë që punoi për futjen e Shqipërisë në NATO. Ishte ajo administratë, e cila po të lexosh raportet e Guardia di Finanza, raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, kishte pozitivitet të jashtëzakonshëm karshi reformave që ndërmori qeveria Berisha 2005-2013.
Flavio Qarri: Po të qëndrojmë tek fjalët, deklaratat e Marta Kos-it edhe Fon der Lajenit për Ramën ta këpusin shpirtin.
Lisander Hoxha: Jo. Është një mega-skandal i cili shumë shpejt do bëhet publik. Ky do jetë maksiprocesi i Brukselit. Kush është ky mega-skandal? Në listëpagesën e Ramës, sepse Rama është një meg - gonalizues, pra ka raportin me çdo ndërkombëtar në nivel personal, në nivel korrupsioni, siç e kishte me Mogherinin, denoncim të cilin e ka bërë para një viti Partia Demokratike dhe mirë është t'i rikthehemi këto ngjarje se kemi, jemi avangardë në situata të caktuara. Janë të lidhur financiarisht me studio të ndërtimit ndërkombëtare që janë pjesë kudo në çdo tender, në çdo PPP që bëhet në Shqipëri.
Të cilat, sponsorizojnë dhe paguajnë përfaqësues të lartë në Bruksel dhe ky do jetë mega-skandali më i madh i Brukselit. Pra, siç thotë populli, do t'ia shohin sherrin edhe në Bruksel Ramës, për shkak të kësaj lidhje. Nuk them, janë disa, janë me dhjetëra aty. Dhe do bëhet ky skandal publik dhe do kesh procese penale për ta. Rama është i mbaruar. Janë katër dosje për të cilat SPAK-u ka prova të mjaftueshme t'i vërë prangat në zyrë zotit Rama. Po ju kujtoj vetëm Eko-parkun dhe AKSHI-n dhe rastin e fundit, dy dosjet e zonjës Balluku. Ka edhe të tjera, por ka prova të mjaftueshme mbi tavolinë për t'i vënë prangat në zyrë. Edi Rama është i mbaruar. Këtu do të ketë qeveri teknike dhe kjo gjë është e padiskutueshme.
E vetmja gjë që duhet të bëjë opozita në këtë moment është t'i prijë protestave kombëtare dhe qëndresës.
Flavio Qarri: Para se t'i pri protestave kombëtare, ndoshta që t'i prijë protestave kombëtare, do të duhet të ketë një formacion, ndoshta këtu është pjesa ku duhet të imitonin pak Partinë Socialiste, një organizim, një veprim prej garnizoni që ju jeni të famshëm që nuk e bëni. Mendoni se duhet t'i shtrëngoni pak radhët këto kohë dhe tema dhe termi më i nxehtë i momentit është Salianji. U diskutua Salianji në mbledhjen e Këshillit Kombëtar?
Lisander Hoxha: Jo, nuk është diskutuar. Unë mendoj që nëse Salianji arrin të bashkojë kontributet e disa njerëzve që vërtet kanë pakënaqësitë e tyre ndaj mënyrës si ka funksionuar PD-ja dhe unë nuk i cilësoj armiq ata që kanë pakënaqësi ndaj secilit prej personave në Partinë Demokratike, do ishte një arritje personale për Salianjin dhe për PD-në. Pra nëse përfundimi i kësaj lëvizjeje çon në një bashkim kontributesh, këtu s'ka asgjë të keqe. Nëse çon në përçarje, kjo s'do ishte fare gjë e mirë për Partinë Demokratike, se ne në këtë moment kemi nevojë për çdo zë, për gjithkënd i cili e shikon Ramën si autorin e një regjimi i cili ka instaluar në Shqipëri skemën e varfërimit dhe të vjedhjes së shqiptarëve.
Problemi i Partisë Demokratike nuk prevalon mbi problemin e Shqipërisë. Shqipëria është A-ja. PD-ja ka problemet e veta, do t'i zgjidhi problemet e veta me debate, me diskutime, me sherret e brendshme. Këto janë pjesë normale të një shtëpie politike. Se kështu ka funksionuar dhe kështu duhet të funksionojë gjithmonë një parti politike. Ne nuk mund të kthejmë sytë nga vetja kur kemi një gogol përpara, të cilin duhet ta rrëzojmë me çdo kusht. Pra sado mos të kem dakordësi unë me zotin Noka, do të shkoj në krah të tij e në krah të tjerëve për të rrëzuar Ramën. Apo me zotin... po i marr emra kot se nuk është se kam ndonjë problem. Në këtë kontekst, mendoj që është jetike ta shikojmë se kush prevalon më shumë. Shqiptarët na kanë besuar, na ndjekin dhe presin nga Partia Demokratike një zgjidhje. Ne nuk mund të hyjmë tek retorika, ne nuk duhet të merremi me retorikë.
Flavio Qarri: Ju thatë përçarje dhe nuk është momenti për përçarje. Më jepni pak këtë grafikun, i cili është grafiku i protestave që fillojnë ditën e sotme në orën 18:00, nesër në 10:30, të shtunën në 12:00 dhe vijmë tek 22 dhjetori, të hënës në orën 18:00 që është protesta e Partisë Demokratike. Cila nga këto është opozitë dhe mbi të gjitha, a nuk mundet të gjithë këta njerëz që përfaqësojnë këto parti dhe të gjithë ata njerëz që i mbështesin këto parti të mblidhen në një datë? Nuk do ishte e udhës?
Lisander Hoxha: Tani se kush është opozita në Shqipëri e di i madh e i vogël. Se edhe në procesin e vjedhjes së zgjedhjeve, partia kryesore opozitare është Partia Demokratike.
Ne jemi viktimë e zgjedhjeve të vjedhura, po edhe në vjedhjen e zgjedhjeve, PD-ja është forca kryesore që pretendon pushtetin. Në këtë sens, se kush është opozita, nuk ka nevojë për koment. Çfarë janë këto që shohim? Do të jap komentin tim personal.
Në qoftë se do të varrosësh një kauzë, vër ca njerëz aty për ta bërë qesharake. Kjo është një kauzë e cila duhet... i madh e i vogël... ajo do 50.000 veta në shesh. Ajo do forcën e një populli, një populli të vjedhur i cili nuk toleron këta hajdutë që me një të rënë të lapsit vjedhin 90 milionë euro. Vjedhin tunelin, vjedhin urën dhe unë ju përgëzoj për punën që ky televizion ka bërë në investigimet e veta se nuk guxon asnjë media t'i transmetojë. Nuk e bën asnjë media lajm. E marrin kalimthi. Lajmi kryesor në Shqipëri ka qenë a është shkelur kushtetuta dhe a cënohet qeveria kur një zëvendëskryeministër vjedh. Po ç'është kjo more? Po kjo është qesharake. I madh dhe i vogël me 22 dhjetor në shesh. Në qoftë se ka parti politike të tjera nga PD-ja që mendojnë se Rama është një regjim dhe po i vjedh shqiptarët dhe duhet rrëzuar, i ftoj t'i bashkohen Partisë Demokratike. Nëse kanë axhenda të tjera, siç i kanë patur herë të tjera, le të shkojnë aty se do marrin përgjigje nga qytetarët. Njerëzit janë te PD-ja se presin zgjidhjen nga PD-ja. Dhe kjo nuk mendoj që kërkon diskutime….