‘Shokohet’ Feyenoordi, Van Persie nën presion pas eliminimit nga Kupa, takohet me tifozët
Feyenoordi përjetoi një humbje të rëndë në Kupën e Holandës (KNVB Beker), duke u eliminuar 2-3 nga Heerenveeni. Kjo është e shtata humbja në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, një seri që ka vënë në dyshim menaxhimin teknik të Robin van Persie-t, trajner 42-vjeçar dhe ish-sulmues i Manchester United.
Van Persie foli pas ndeshjes: “Nuk më takon mua të them nëse jam ende njeriu i duhur. Nëse do të varej nga unë, do të doja të qëndroja shumë vite këtu. Duhet të tregoj çdo ditë se jam njeriu i duhur. Nëse ia dal? Do të isha shumë krenar.”
Për të qetësuar tifozët e zemëruar, Van Persie shkoi drejt tribunës së tyre së bashku me disa lojtarë, një gjest që ai e përshkroi si formë kërkimi falje: “E ndjeva që tifozët tanë kishin nevojë. Është normale të tregojnë emocione. Përfundimisht, gjithçka e bëjmë për ta. Tani nuk janë të lumtur dhe kjo është e drejtë. Përgjegjësia bie mbi mua dhe mbi ne. Mendoj se ishte e drejtë t’i dëgjonim.”
Megjithatë, trajneri i bardhekuqve nuk mendon të japë dorëheqjen: “Besoj fort se do të arrijmë ta përmbysim këtë situatë. Shpresoj të nisë që nga ndeshja e së dielës kundër Twentes. Besoj te vetja si trajner dhe besoj se së bashku do ta kalojmë këtë periudhë të vështirë.”