Një tjetër Ibrahimovic te Milani, Allegri ‘shpërblen’ Maximilianin me grumbullimin për Superkupën
Mbiemri Ibrahimovic rikthehet të ngjallë emocione te tifozët kuqezi. Në prag të gjysmëfinales së Superkupës Italiane ndaj Napolit, trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka marrë një vendim me peshë simbolike të madhe: ka grumbulluar Maximilian Ibrahimovic-in, djalin e madh të Zlatanit. Sulmuesi i lindur në vitin 2006 do të ulet në stol në Riad, duke regjistruar thirrjen e tij të parë zyrtare me ekipin e parë.
Zgjedhja e Allegrit lidhet si me nevojat e skuadrës, ashtu edhe me meritën. Me Santiago Gimenez ende jashtë dhe Rafael Leaon jo në formën optimale pas dëmtimit, reparti ofensiv kishte nevojë për alternativa. Kështu, tekniku kuqezi ka hedhur sytë nga Milan Futuro, skuadra e dytë që militon në Serie D, duke shpërblyer rritjen e Maximilianit.
Nën drejtimin e Massimo Oddos, anësori i majtë ka zhvilluar 15 ndeshje, ka shënuar 4 gola dhe ka dhënë 2 asistime në mbi 800 minuta lojë, duke treguar progres të vazhdueshëm. Për Allegrin, kjo thirrje përfaqëson një “çmim” për punën dhe përkushtimin e treguar nga i riu.
Nëse do të ketë edhe pak minuta në fushë, do të shkruhet një faqe e re historie: një tjetër Ibrahimovic me fanellën e Milanit, pas lamtumirës së Zlatanit në mars të vitit 2023, me legjendën suedeze që këtë herë do ta ndjekë nga tribuna, si Senior Advisor i RedBird.