Shkarkohet Ancelotti, aventura e italianit në Brazil përfundon pas pesë muajsh
Aventura e Davide Ancelotti-t te Botafogo ka marrë fund. Klubi brazilian ka komunikuar zyrtarisht shkarkimin e trajnerit italian, i cili ishte në eksperiencën e tij të parë si kryetrajner me kohë të plotë. Vendimi erdhi vetëm pesë muaj pas nënshkrimit të kontratës, pas një sezoni që nuk përmbushi pritshmëritë e drejtuesve.
Botafogo e mbylli kampionatin brazilian në vendin e gjashtë, me një diferencë prej 16 pikësh nga kampionët e Flamengos, ndërsa në arenën ndërkombëtare u eliminua në fazën e 1/8-ve të finales së Copa Libertadores nga ekipi ekuadorian Liga de Quito. Rezultate që u konsideruan të pamjaftueshme për ambiciet e klubit të Rio de Janeiros.
Në komunikatën zyrtare, Botafogo bëri të ditur se vendimi u mor pas takimeve të zhvilluara në orët e paradites, pa zbuluar emrin e pasardhësit. Ancelotti kishte marrë drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Renato Paivës, i cili ishte larguar pas eliminimit në 1/8-at e finales së Kupës së Botës për Klube në muajin korrik.
36-vjeçari italian vjen nga një përvojë e gjatë si bashkëpunëtor i ngushtë i babait të tij, Carlo Ancelotti, duke punuar për më shumë se një dekadë te Bayerni, Napoli, Evertoni dhe Real Madridi. Megjithatë, hapi i parë si trajner kryesor nuk rezultoi i suksesshëm dhe tani Davide Ancelotti pritet të vlerësojë sfidën e radhës në karrierën e tij.