Chicago ringrihet me White dhe Giddey, Jackson udhëheq Grizzlies drejt triumfit

Chicago Bulls–Cleveland Cavaliers 127–111

Pas një periudhe shumë të vështirë, Chicago Bulls rikthehen te fitorja duke mundur bindshëm Cleveland Cavaliers, në një ndeshje ku performanca kolektive bëri diferencën.

Josh Giddey ishte figura qendrore, duke regjistruar ‘triple-double’-in e gjashtë të sezonit dhe duke shënuar edhe pesë trepikësha, rekord personal. Coby White udhëhoqi sulmin me 25 pikë, ndërsa Nikola Vučević dha kontribut të rëndësishëm me 20 pikë dhe 9 kërcime.

Bulls realizuan me 56% nga fusha dhe detyruan Cavaliers në 20 humbje topi, duke kontrolluar ritmin e ndeshjes sidomos në pjesën e dytë. Cleveland nisi mirë dhe krijoi avantazh në çerekun e parë, por u shua gradualisht, pavarësisht 32 pikëve të Donovan Mitchell.

Pas pushimit, Chicago përshpejtoi, krijoi diferencë të qëndrueshme dhe siguroi një fitore që mund të shërbejë si pikë kthese për vazhdimësinë e sezonit.

Minnesota Timberwolves–Memphis Grizzlies 110–116

Pa Anthony Edwards dhe Ja Morant, sfida mes Minnesota Timberwolves dhe Memphis Grizzlies ishte gjithsesi e luftuar dhe me ritëm të lartë. Memphis doli fitues falë një paraqitjeje të shkëlqyer të Jaren Jackson Jr, i cili mbylli ndeshjen me 28 pikë dhe 12 kërcime, duke qenë dominues në momentet kyçe.

Vendimtar ishte edhe kontributi i pankinës, që solli 44 pikë, me Jock Landale protagonist absolut: ‘double-double’ prej 20 pikësh dhe 10 kërcimesh, si edhe disa kosha thelbësorë në fund. Minnesota kishte avantazh në çerekun e tretë, por një seri 14–2 e Grizzlies ndryshoi rrjedhën e ndeshjes. Në minutat finale, Memphis ruajti qetësinë dhe goditi sërish nga distanca për të mbyllur llogaritë. Të pamjaftueshme për vendasit mbetën 21 pikët e Randle dhe 19 të DiVincenzo.