'Moment historik'/ Netanyahu njofton marrëveshje rekorde për gaz natyror me Egjiptin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se e ka miratuar marrëveshjen më të madhe të energjisë në historinë e vendit të tij.
Në një video-deklaratë krahas ministrit të Energjisë, Eli Cohen, ai tha se marrëveshja për ta furnizuar me gaz natyror Egjiptin e ka vlerën e 112 miliardë shekelëve (34,7 miliardë dollarë), nga të cilat 58 miliardë shekel (18 miliardë dollarë) do të arkëtohen në buxhetin e shtetit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Sipas tij, në katër vitet e para, rreth 500 milionë shekel ose 155 milionë dollarë do t’i përfitojë shteti, ndërsa kjo shumë do të arrijë në 6 miliardë shekel ose 1,9 miliard dollarë në vitin 2033.
“Këto para do t’i fuqizojnë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, sigurinë, të ardhmen e gjeneratave në vijim” – tha Netanyahu, duke shtuar se e miratoi marrëveshjen vetëm pasi u sigurua se ajo i plotësonte nevojat jetike të Izraelit, përfshirë sigurinë.
“Marrëveshja e fuqizon shumë pozicionin e Izraelit si superfuqi rajonale e energjisë dhe kontribuon në stabilitetin rajonal” – argumentoi ai më tej, duke shtuar se pakti do t’i inkurajojë edhe vendet e tjera që të kërkojnë gaz në ujërat e Izraelit.
Netanyahu theksoi se kompanive u kërkohet që gazin natyror izraelitëve t’ua shesin “me një çmim të mirë”.
Ndërkohë, ministri Cohen e quajti marrëveshjen “moment historik për Izraelin”, duke shtuar se kjo gjithashtu është marrëveshja më e madhe eksportuese në historinë e vendit.
Gazi natyror është aset strategjik për Izraelin, theksoi ai, ndërsa Netanyahu tha se do të ketë “më shumë befasi të këndshme”./Nacionale