'Arrestimi i Belinda Ballukut...?'/ Andi Tela: Mazhoranca socialiste në ‘kurthin’ e ‘precedentit Tahiri’

Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e ministres Belinda Balluku, e ka vendosur mazhorancën socialiste përballë një prove të vështirë politike dhe procedurale.

Mënyra se si do të menaxhohet procesi duket se po ndjek një standard të ndryshëm nga precedentët e mëparshëm, duke ngritur pikëpyetje mbi vullnetin politik për të lejuar drejtësinë të veprojë pa vonesa.

Ndryshe nga raste të tjera, mazhoranca ka vendosur që të mblidhet ditën e premte vetëm për të diskutuar hapat proceduralë që do të ndiqen.

Kjo lëvizje perceptohet si një taktikë zvarritëse, sidomos kur krahasohet me precedentin më të bujshëm, atë të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në vitin 2017.

Në rastin e Tahirit, dinamika ishte tejet e shpejtë. Prokuroria nisi hetimet më 17 tetor dhe vetëm dy ditë më pas, më 19 tetor, dërgoi kërkesën për heqjen e imunitetit në Kuvend. Komisioni për Mandatet dhe Imunitetin u mblodh menjëherë të nesërmen, më 20 tetor, duke zhvilluar diskutime intensive për dy ditë rresht.

Brenda katër ditësh, më 25 tetor, çështja u diskutua dhe u votua në seancë plenare. I gjithë procesi, nga mbërritja e kërkesës në Kuvend deri te votimi, u përmbyll në më pak se një javë.

Sot, procedura duket se po merr një tjetër rrjedhë. Plani aktual parashikon një proces me disa hapa: fillimisht, anëtarët e komisionit do të njihen me dosjen voluminoze të SPAK, do të firmosin për ruajtjen e sekretit hetimor, dhe më pas do të caktohet një mbledhje e dytë për t'i dhënë kohë edhe vetë ministres Balluku të përgatisë mbrojtjen. Kjo strategji e shtyrjes së afateve, duke caktuar seanca e mbledhje pa një urgjencë të dukshme, shihet si një përpjekje për të zgjatur procesin dhe për të menaxhuar dëmin politik.

Ndërkohë, bëhet e ditur se akuza ndaj ministres Balluku mund të mos lidhet me çështjen e shumëpërfolur të Unazës së Madhe, por me një tjetër dosje që ka në qendër supervizimin dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore kombëtare. Hetimi dyshohet se është pjesë e dosjes që çoi më herët në pranga ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi. Ky detaj tregon se çështja është komplekse dhe me shumë aktorë të përfshirë.

Sjellja e mazhorancës në ditët në vijim do të jetë vendimtare. Zvarritja e procesit në kontrast me shpejtësinë e treguar në rastin “Tahiri” dhe në raste të tjera si ato të Tom Doshit apo Armando Prengës, tregon për një standard të dyfishtë që mund të dëmtojë besimin te vullneti i maxhorancës për të luftuar korrupsionin në nivelet më të larta.

Gazetari Andi Tela, i ftuar në emisionin “Task Force” të Sonila Meços në Syri Tv, tha: “Kam përshtypjen që duhet të jetë tek dosja e Elvis Berberit dhe bëhet fjalë për supervizimin e mirëmbajtjes së Shqipëria ndahet me rajone, pra jugor, i qëndror i rrugëve në përgjithësi. Ato ndahen në mënyrë të tillë që duhet t'i mirëmbash. Pra u prish rruga, prandaj quhet mirëmbajtja e rrugëve. Caktohen fonde, bëhen tendera, por nuk ka lidhje me unazën kjo gjëja. Pra është një gjë komplet tjetër dhe ky si element është te dosja e Berberit, nuk është te dosja e Ballukut.

Ne duhet të shohim pak precedentët, pra si është sjellë mazhoranca deri në ditën e sotme. Dhe po konsultoja arkivën dhe nga 2013-ta deri më sot ka pasur shumë raste që mazhoranca është vënë përballë komisionit të imuniteteve për heqjen e imunitetit të deputetëve.

Ka ndodhur me Tom Doshin, me Armando Prengën, me Frrokun, por të gjithë këta ka qenë akuza vrasje, plagosje, gjëra të tjera të ngjashme.

Në 2017-ën ka qenë momenti kulminant që ka të bënte me Saimir Tahirin. Dhe prokuroria ka hapur hetimin në 17 tetor. Në 19 tetor, dy ditë më mbrapa e ka çuar kërkesën në kuvend.

Kjo ka ndodhur, se ç'mund të ndodhë tani unë mund të diskutoj. Pra në datë 19, dy ditë më pas e çon kërkesën në kuvend. Të nesërmen në datë 20 mblidhet komisioni i mandateve dhe imuniteteve dhe fillon diskuton dhe diskuton datë 20 dhe datë 21, dy ditë pa ndërprera, se ne na kujtohen imazhet e atyre mbledhjeve që zgjasin me orë të tëra. Dy ditë zgjatën. Katër ditë më pas, në 25, në seancë u diskutua dhe u votua. Pra për një javë, më pak se një javë përfundoi gjithçka, pavarësisht se ne kemi imazhe që ka zgjatur shumë.

Ndërkohë që ne sot dëgjojmë që të premten do të ulemi të diskutojmë se si do veprojmë. Do e hapim kasafortën për ta nxjerrë. Dhe nuk është USB, e kanë çuar të printuar këta të SPAK-ut, e kanë dosje të plotë. Tani do vendosin, do e lexojnë anëtarët, 10 anëtarët, do të firmosin atje që asnjë moment i dosjes, asnjë fletë, asnjë detaj nuk del apo jo. Pastaj do caktojnë një mbledhje të dytë kur do mblidhen përsëri që t'i japin kohë zonjës Balluku apo dhe të tjerëve për t'u njohur. Dhe këtu është gjithë çelësi se si do sillet mazhoranca.

Pra do kërkojë kohë, do ta zgjasë, do ta zvarrisë, kemi nevojë ta lexojmë, caktojmë seancën në fillim të janarit, në pritje se çfarë mund të ndodhë në 22 janar.

Që ato ditë, fabula mund të ishte zgjidhur me dorëheqjen e zonjës Balluku, siç e kam thënë dhe herë të tjera, dhe kishte mbaruar kjo histori.

Kjo zvarritja vetëm për më keq i çon. Nuk ka për të dalë askush i fituar deri në momentin që do i hiqet imuniteti, do ta kundërshtojnë, por kjo histori do vazhdojë dhe zonja Balluku do marri atë që i meriton mbas dosjes.

Tani kostoja është, kostoja është vetëm për mazhorancën në këtë rast. Llogaritë e tyre, nuk e di se si i kanë bërë. Çfarë ka ndodhur me zotin Tahiri, tregoi që prapë ishte kosto e mazhorancës. Ai e dorëzoi imunitetin, shkoi në gjykatë, por në atë rast përsëri nuk kishin elementët e dosjes kaq të bërtitës sa ç'janë në këtë dosje”.