Zyrtarizohet vendimi, Superkupa e Kosovës luhet më 25 janar në Antalia
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar zyrtarisht datën dhe vendin e zhvillimit të Superkupës së Kosovës, ku do të përballen Drita dhe Prishtina.
Sipas njoftimit të FFK-së, finalja e Superkupës do të zhvillohet më 25 janar 2026 (e diel), me fillim nga ora 14:30 sipas orës lokale të Turqisë, përkatësisht 12:30 sipas kohës në Kosovë. Ndeshja do të luhet në stadiumin prestigjioz “Mardan Palace”, në Antalia.
Në këtë përballje do të takohen FC Drita, si kampione e Kosovës, dhe FC Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25.
Vendimi për zhvillimin e ndeshjes në Antalia është marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, duke pasur parasysh se të dyja skuadrat do të jenë të angazhuara në përgatitjet dimërore pikërisht në këtë qytet turk, në periudhën 15–30 janar 2026. Ky organizim është bërë në përputhje të plotë me programet e klubeve, për të lehtësuar aspektin logjistik dhe sportiv.
Kjo do të jetë hera e katërt që finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet në Antalia. Më herët, aty janë luajtur edhe përballjet Drita–Prishtina, Llapi–Ballkani dhe Prishtina–Ballkani, duke e kthyer këtë qytet në një destinacion të njohur për futbollin kosovar gjatë fazës përgatitore dimërore.