Izraeli avancon planet për 9,000 shtëpi në Jerusalemin Lindor të pushtuar
Autoritetet izraelite pritet të çojnë përpara planet për të ndërtuar 9,000 njësi të reja banimi në një vendbanim të paligjshëm në vendin e aeroportit të braktisur Qalandiya në Jerusalemin Lindor të pushtuar, në një përpjekje tjetër për të shkëputur tokat palestineze nga njëra-tjetra dhe për të bllokuar çdo mundësi të krijimit të një shteti të bashkuar palestinez.
E ashtuquajtura lagje Atarot në veri të Jeruzalemit Lindor, që të kujton planin E1 për të minuar shtetësinë palestineze, do të diskutohet dhe skicat e saj do të miratohen të mërkurën nga Komiteti i Planifikimit dhe Ndërtimit të Qarkut, sipas grupit izraelit Peace Now.
Grupi i avokimit tha se vendbanimi i ri parashikohet të ndërtohet brenda një zone urbane palestineze me popullsi të dendur, që shtrihet nga Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kafr Aqab në veri, deri në kampin e refugjatëve Qalandiya, ar-Ram, Beit Hanina dhe Bir Nabala.
Do të ndërtohet një enklavë izraelite në një zonë ku qindra mijëra palestinezë jetojnë në afërsi, me qëllim bllokimin e zhvillimit në një zonë kyçe dhe dëmtimin e mëtejshëm të mundësisë së krijimit të një shteti sovran palestinez.
“Ky është një plan shkatërrues që, nëse zbatohet, do të parandalonte çdo mundësi të lidhjes së Jerusalemit Lindor me zonën palestineze përreth dhe, në praktikë, do të parandalonte krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit”, tha Peace Now.
‘Qeveria masakruese po punon për të krijuar një mega-vendbanim të ri ultra-ortodoks përgjatë Vijës së Gjelbër në veri të Jerusalemit. Sulmi i ri politik i quajtur 'Atarot' është planifikuar të ndërtohet në zemër të shtetit palestinez që do të krijohet përkrah Izraelit. Kjo përfshin 9,000 njësi banimi që Izraeli do të duhet t'i evakuojë. A nuk është turp?’, thuhet në reagimin e grupit izraelit.
ממשלת הטבח פועלת להקים מגה-התנחלות חרדית חדשה מעבר לקו הירוק מצפון לירושלים.
— שלום עכשיו (@PeaceNowIL) December 16, 2025
הפיגוע המדיני החדש שנקרא "עטרות" מתוכנן להיבנות בלב המדינה הפלסטינית שעתידה לקום לצד ישראל.
מדובר ב-9000 יח"ד שישראל תצטרך לפנות.
לא חבל? pic.twitter.com/68RdI7aque
Organizata tha se qeveria e ekstremit të djathtë e kryeministrit Benjamin Netanyahu po shfrytëzon çdo moment, për të varrosur shanset për një të ardhme paqeje dhe kompromisi.
"Sidomos tani, kur është e qartë për të gjithë se idetë e 'menaxhimit të konfliktit' dhe 'fitores vendimtare' kanë çuar në një katastrofë sigurie për Izraelin, ne duhet të veprojmë për të zgjidhur konfliktin."
Përparimet e planit datojnë që nga fillimi i vitit 2020, kur Ministria e Strehimit e Izraelit ia dërgoi atë bashkisë së Jerusalemit për ta përgatitur për miratim. Ajo përfundoi procesin burokratik të përgatitjes brenda disa muajsh, por u përball me kundërshtime nga ministritë e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Shëndetësisë, sipas Peace Now, e cila tha se edhe administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama e kishte kundërshtuar atë.
Do të duhej shqyrtim dhe miratim i mëtejshëm nga qeveria, përpara se t’i jepej fuqi ligjore dhe të kalonte drejt proceseve të tenderimit për të zgjedhur kontraktorët e ndërtimit.
Pjesa më e madhe e zonës së planit është përcaktuar si "tokë shtetërore" nga autoritetet izraelite, që do të thotë se ata nuk do të duhet të kërkojnë leje nga pronarët palestinezë të tokës.
Izraeli ka përparuar me shpejtësi me disa projekte të mëdha për të ndërtuar vendbanime të paligjshme në territorin e pushtuar palestinez dhe për të ndjekur aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar, krahas luftës së tij gjenocidale në Gaza që filloi në tetor 2023 dhe deri më tani ka vrarë më shumë se 70,000 njerëz.
Plani E1, i cili do të shihte ndërtimin e mijëra shtëpive të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, është përshëndetur nga zyrtarët izraelitë pavarësisht dënimit ndërkombëtar.
Kabineti i sigurisë i Izraelit javën e kaluar miratoi planet, për të formalizuar 19 vendbanime të paligjshme në të gjithë Bregun Perëndimor.
Prishje dhe arrestime të përhapura
Forcat izraelite vazhdojnë të nisin bastisje në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe të mbështesin kolonët e dhunshëm në sulmin ndaj tokave palestineze, ndërkohë që lëshojnë leje për prishjen e shtëpive palestineze.
Autoritetet izraelite filluan operacionet e prishjes të mërkurën në mëngjes në qytetin Biddu, i vendosur në veriperëndim të Jerusalemit Lindor të pushtuar, me pretekstin se ndërtesat palestineze nuk kishin leje.
Në pjesën qendrore të Bregut Perëndimor, kolonët, të cilët kanë kryer sulme të pandëshkuara, shpesh të mbështetur nga ushtria izraelite, dogjën automjete palestineze dhe shkruan slogane raciste në fshatin Ein Yabrud në Ramallah të mërkurën.
Disa palestinezë u arrestuan gjithashtu gjatë bastisjeve në të gjithë Bregun Perëndimor, përfshirë Nablusin.
Autoritetet lokale thanë se ushtria izraelite planifikon të shembë 25 ndërtesa banimi në kampin e refugjatëve Nur Shams këtë javë./ Al Jazeera.