Botërori 2026/ Administrata Trump shton pesë vende të tjera që nuk marrin viza, 15 kanë kufizime

Me më pak se gjashtë muaj nga fillimi i Botërorit 2026, qasja e tifozëve në turne po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Përveç çmimeve të larta të biletave dhe akomodimeve, qeveria amerikane ka vendosur kufizime të reja për hyrjen e qytetarëve nga disa vende.

Administrata amerikane ka shtuar pesë vende të reja në listën e ndalimeve totale, që më parë përfshinte Iranin dhe Haitin, të dy të kualifikuar në Botëror: Burkina Faso, Mali, Nigeri, Sudani i Jugut dhe Siria, si dhe qytetarët me pasaportë të Autoritetit Palestinez.

Për 15 vende të tjera janë vendosur kufizime të pjesshme, duke përfshirë dy kombëtare të kualifikuara për Botëror: Senegali dhe Bregu i Fildishtë, si dhe Angola, Antigua, Benin, Dominika, Gabon, Gambia, Malawi, Mauritania, Nigeria, Tanzania, Tonga, Zambia dhe Zimbabve.

Dekreti i nënshkruar nga Presidenti Donald Trump specifikon se sportistët dhe diplomatët nuk përfshihen nga këto ndalime, por tifozët me pasaportë senegaleze ose nga Bregu i Fildishtë do të kenë më shumë vështirësi për të ndjekur skuadrat e tyre.

Arsyeja e dhënë nga autoritetet amerikane për këto kufizime është “visa overstay rate”, pra përqindja e vizitorëve që qëndrojnë pas skadimit të vizës dhe konsiderohen emigrantë ilegalë: 4% për Senegalin dhe 8% për Bregun e Fildishtë, sipas Departamentit të Sigurisë së Brendshme.