Kandidati për president i Barcelonës premton rikthimin e Messit në klub
Marc Ciria, kandidati për president të Barcelonës, ka premtuar se do të bëjë çdo gjë të mundshme për të rikthyer Lionel Messin te klubi katalanas.
Ciria prezantoi zyrtarisht platformën e tij elektorale, ‘Moviment 42’, gjatë një eventi në Sala Bikini të Barcelonës, ku morën pjesë rreth 700 vetë. Ai theksoi se zgjedhjet për president të klubit do të mbahen vitin e ardhshëm, ku Joan Laporta do të kandidojë për një mandat të ri, ndërsa janë shfaqur edhe disa kandidatë të tjerë.
Gjatë një seance pyetje-përgjigje, Ciria u pyet për rolin e Messit, për shkak të spekulimeve mbi përfshirjen e tij në zgjedhje. Ai u shpreh:
“Ne e kemi thënë që në 2021 se ai ishte ura më e mirë ndërgjeneracionale në aspektin sportiv dhe një motor ekonomik. Na nevojitet Leo Messi dhe do të bëjmë gjithçka të mundur për ta rikthyer.”
Ciria deklaroi se kandidimi i tij lidhet me shqetësimet për modelin aktual të pronësisë së klubit, duke theksuar se bordi aktual e ka çuar Barcelonën drejt “borxhit më të lartë në botë” ndër klubet sportive. Ai premtoi një rol më të madh për anëtarët e klubit, të cilët i cilësoi si “pronarët legjitimë të klubit”, ndërsa kritikoi menaxhimin aktual si “të vjetruar”.
Ky qëndrim ka sjellë vëmendje të madhe në mediet sportive, pasi rikthimi i Messit te Barcelona mbetet një ëndërr e tifozëve katalanas, dhe kandidati Ciria po e vendos këtë si një nga prioritetet kryesore të tij.