Ter Stegen rikthehet titullar, Flick: Është kapiteni ynë dhe ishte momenti i duhur për ta aktivizuar
Barcelona ka siguruar kualifikimin në 1/8 e finales së Kupës së Mbretit pas fitores 2-0 ndaj Guadalajara-s, një ndeshje që, pavarësisht diferencës së kategorive, rezultoi më e vështirë nga sa pritej. Pas përfundimit të takimit, trajneri i katalanasve, Hansi Flick, doli në një konferencë për shtyp të shkurtër dhe me tone serioze, duke u ndalur kryesisht te aspekti mendor i skuadrës.
Tekniku gjerman theksoi se ndeshjet e Kupës gjithmonë sjellin vështirësi shtesë dhe se ajo që bën diferencën është qëndrimi në fushë. Sipas Flick, Barcelona e përballoi ndeshjen në mënyrën e duhur, duke treguar përqendrim dhe vendosmëri deri në fund.
“Të luash në Kupë nuk është kurrë e lehtë. Në fund vendosin mentaliteti dhe qëndrimi, dhe skuadra i tregoi të dyja”, u shpreh trajneri blaugrana.
Flick komentoi gjithashtu zgjedhjen për të aktivizuar nga minuta e parë Marc-André ter Stegen, i cili u rikthye titullar: “Ai është kapiteni ynë dhe është shumë i rëndësishëm për grupin. Sot kishte mundësinë për ta aktivizuar në Kupë dhe e shfrytëzova. Është një tjetër hap në rrugëtimin e tij”.
Trajneri i Barcelonës vlerësoi edhe kundërshtarin, pavarësisht se Guadalajara militon dy kategori më poshtë: “Janë ndeshje të vështira. Qëndrimi është çelësi për të fituar. Të dyja skuadrat luftuan, por në fund rezultati shkoi në anën tonë”.
Nga ana tjetër, trajneri i Guadalajara-s, Pere Martí, mbrojti me krenari paraqitjen e ekipit të tij, duke pranuar njëkohësisht zhgënjimin për eliminimin: “Humbja dhemb. Luajtëm një ndeshje shumë serioze, por na mungoi pak energjia për të shënuar. Nga njëra anë jam i kënaqur, nga ana tjetër i zhgënjyer”.