Radhë kilometrike kamionësh në Morinë-Vërmicë, pritje deri në dy orë në doganë
Një radhë e gjatë kilometrike e kamionëve të tonazhit të rëndë është krijuar mbrëmjen e sotme në aksin Morinë-Vërmicë, në rrugën Morinë-Kukës, në drejtim të Kosovës. Mjetet e rënda po presin për të hyrë në territorin kosovar përmes pikës doganore të Vërmicës, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit.
Drejtuesit e kamionëve janë shprehur se pritjet zgjasin nga një deri në dy orë, ndërsa theksojnë se situata të tilla janë të shpeshta. Sipas tyre, vonesat shkaktohen kryesisht nga procedurat e ngadalta në doganën e Vërmicës, rëniet e herëpashershme të sistemit dhe ndërrimi i turneve të doganierëve.
Pritjet e gjata po ndikojnë negativisht në dorëzimin në kohë të mallrave dhe po krijojnë stres të shtuar për transportuesit, të cilët përballen edhe me temperaturat e ulëta të mbrëmjes. Ata kërkojnë angazhim më të madh institucional, pasi fluksi i lartë i mallrave, veçanërisht në orët e vona, po rrit kostot e transportit dhe po cenon sigurinë e drejtuesve të mjeteve në këtë pikë kufitare.