Historia e familjes/ Rrëfimi i Eno Milkanit: Nga pesha e emrit, dashuria e prindërve dhe zgjedhja për t’u bërë regjisor
Në një intervistë në studion e ‘A Krasta Show’, në Syri TV, regjisori Eno Milkani ndau kujtime të rralla dhe prekëse për familjen e tij të njohur. Ai foli hapur për peshën e të qenit djali i regjisorit ikonik Piro Milkani dhe pianistes së veçantë Bebi Kristidhi. Biseda nis me historinë e nënës së tij, origjinën e saj nga familja e Doktor Kristidhit dhe stilin e saj unik që e bënte të dallohej në Tiranën e asaj kohe.
Eno tregoi gjithashtu edhe për marrëdhënien e ngushtë dhe 'love story'-n e prindërve të tij, duke përshkruar jetën në apartamentin e vogël ku tavolina e ngrënies kthehej në një skenë tregimesh nga babai i tij. Një vëmendje e veçantë i kushtohet viteve të studimit të Piros në Pragë, natyrës së tij të butë dhe rastit të rrallë kur ai humbi durimin gjatë xhirimeve të filmit 'Zonja nga Qyteti'.
Më tej, intervista preku tema më të ndjeshme si tragjedia e humbjes së vëllait të Piros, Vaskës, në moshë të re dhe solidaritetin e fortë familjar që pasoi. Në fund, Eno ndau kujtime fëmijërie, duke filluar nga lodrat e veçanta si treni elektrik, miqësinë me Eva Pëllumbin, e deri te vendimi i tij për të lënë pikturën për t'iu përkushtuar regjisë, duke ndjekur gjurmët e babait.