‘Regjimi i Ramës më i korruptuari në botë’/ Lapaj: Të dalim si qytetarë kundër diktaturës së shpërfilljes
Drejtuesi i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka bërë thirrje që qytetarët të mblidhen dhe të dalin në protestë kundër regjimit më të korruptuar në botë, atë të Edi Ramës.
I ftuar në A Show në SYRI TV me Adi Krastën, Lapaj theksoi se kërkohet një reagim masiv qytetar kundër atij që përshkruhet si një “regjim i diktaturës së shpërfilljes”, një formë qeverisjeje e konsideruar e rrezikshme, e cila injoron zërin dhe ankesat e qytetarëve për vjedhje dhe korrupsion.
“Shtypja dhe vjedhja që na bën Edi Rama është e njëjtë për të gjithë, pa dallim”, u shpreh Lapaj.
Lapaj: Të reagojmë kundër këtij regjimi diktatorial, do thoni ju nuk është diktatorial, është diktaturë e shpërfilljes, është shumë e rrezikshme. Diktatura e atyre që edhe pse vjedhin, edhe pse qytetarët ankohen, nuk dëgjojnë. Pra në momentin që ti flet dhe nuk dëgjohesh, praktikisht është njësoj si të të hiqnin të drejtën totalisht. Në këtë drejtim unë mendoj që duhet patjetër çdo qytetar, pavarësisht nëse beson në një parti politike apo ndjek një tjetër, nëse është i një besimi fetar apo i një tjetri, duhet të kuptojmë që shtypja që na bën ky regjim, vjedhja që na bën Edi Rama, është e njëjtë për të gjithë, pa dallim. Në këtë drejtim duhet që t'i lëmë egot mënjanë, duhet që t'i lëmë siglat partiake mënjanë, dhe çdo qytetar duhet të dalë si qytetar në këtë fazë. Dhe mandej, të krijohet një kohezion i madh qytetar për të krijuar një dallgë që ky nuk do t'i rezistojë dot. Sepse ky në momentin që i del një parti politike, ky fshihet pas logos dhe ky pastaj mobilizon gjithçka për të mbrojtur korrupsionin e vet. Kështu që është shumë e nevojshme që qytetarët të dalin si individë, të dalin si familje, të dalin si biznese, të dalin si besimtarë të së drejtës, si besimtarë të të moralit shoqëror. Kjo është përgjigja ime.