'Jam ende në shok'/ Tracy Reiner reagon pas vdekjes së babit të saj Rob Reiner dhe Michele Singer Reiner

Tracy Reiner ka reaguar publikisht pas ndarjes nga jeta të babait të saj të birësuar, regjisorit të njohur Rob Reiner, dhe bashkëshortes së tij, Michele Singer Reiner.

“Isha pjesë e familjes më të mrekullueshme që mund të ekzistonte,” u shpreh Tracy Reiner, 61 vjeçe, në një deklaratë për NBC News. “Nuk di çfarë të them. Jam ende në shok,” shtoi ajo.

Rob Reiner u bë baba i Tracy-t përmes adoptimit gjatë martesës së tij me aktoren e ndjerë Penny Marshall.

Ndërkohë, Nick Reiner, 32 vjeç, djali i Rob dhe Michele, ndodhet në paraburgim pas marrjes në pyetje nga Divizioni i Grabitjeve dhe Vrasjeve i Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit. Burime të shumta pranë familjes kanë bërë me dije për revistën PEOPLE se Nick dyshohet se ka vrarë prindërit e tij në banesën e tyre në Los Anxhelos.

Sipas burimeve, trupat e pajetë të çiftit u gjetën nga vajza e tyre, Romy Reiner, të dielën, më 14 dhjetor.

Rob dhe Michele Reiner ishin martuar në vitin 1989 dhe kishin tre fëmijë: Jake, Nick dhe Romy. Nick Reiner ka folur ndër vite hapur për betejat e tij me varësinë, të cilat nisën që në adoleshencë dhe çuan përfundimisht drejt përjetimit të pastrehësisë.

Rreth orës 15:30 të së dielës, më 14 dhjetor, Departamenti i Zjarrfikësve të Los Anxhelosit (LAFD) u thirr në një banesë për të ofruar ndihmë mjekësore. Me mbërritjen në vendngjarje, u gjetën të pajetë një burrë dhe një grua.

Rob dhe Michele ishin njohur gjatë periudhës kur Reiner ishte regjisor i filmit “When Harry Met Sally”, një nga veprat më ikonike të karrierës së tij, që përfshin gjithashtu filma të njohur si “The Princess Bride” (1987), “Misery” (1990) dhe “A Few Good Men” (1992).

Në një deklaratë për Variety, familja Reiner tha:
“Me një dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Michele dhe Rob Reiner. Jemi të shkatërruar nga kjo humbje e papritur dhe kërkojmë privatësi gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë.”