Logu: Vendimi i Kushtetueses e detyroi SPAK-un të reagojë, heqja e imunitetit për Ballukun është masë emergjente

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Lëvizja dramatike vjen pak kohë pasi Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e përkohshëm të saj në detyrën e deputetes, duke shtuar një kapitull të ri në sagën ligjore që ka përfshirë një nga figurat më të larta të qeverisë.

I ftuar në emisionin Task Force në Syri Tv, juristi Marash Logu u shpreh se kërkesa e SPAK konsiderohet një veprim i pritshëm dhe proceduralisht normal, i nxitur nga rreziku potencial që rikthimi i Ballukut në një pozicion influence mund të përbënte për hetimin. Prokurorët argumentojnë se ekziston rreziku i “prishjes së provave, intimidimit të dëshmitarëve apo pengimit të drejtësisë”, çka e bën të nevojshme marrjen e masave të menjëhershme shtrënguese.

Sipas Logut, në kërkesën e depozituar në Parlament, SPAK kërkon autorizim për dy masa alternative: “arrest në shtëpi” dhe “arrest me burg”. Kjo i lë prokurorisë fleksibilitetin për të vendosur masën përfundimtare bazuar në vlerësimin e rrethanave, pasi të marrë dritën jeshile nga ligjvënësit.

Logu shprehet se procedura parlamentare pritet të nisë të premten me mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Një detaj kyç është se kjo mbledhje, me shumë gjasa, do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Arsyeja sipas Logut është ruajtja e sekretit hetimor, pasi dosja e plotë, përfshirë relacionin e detajuar dhe provat e mbledhura, nuk u është vënë ende në dispozicion anëtarëve të Këshillit apo publikut. Deputetët kanë marrë vetëm kërkesën formale, shoqëruar me një urdhër për mos-publikimin e akteve.

Në këtë seancë, pritet që prokurorët e posaçëm të paraqesin argumentet e tyre përpara deputetëve. Gjithashtu, Belinda Balluku dhe avokatët e saj do të kenë mundësinë të paraqesin mbrojtjen e tyre. Pas kësaj faze, Këshilli do të hartojë një raport, i cili më pas do t'i kalojë për votim seancës plenare.

Logu shprehet se duke pasur parasysh afatet ligjore dhe faktin që seanca e së enjtes ishte planifikuar të ishte e fundit për këtë sesion parlamentar, ka shumë mundësi që Kuvendi të thirret në një seancë të jashtëzakonshme para fundit të vitit për të votuar mbi kërkesën e SPAK. Fati i ish-ministres tashmë varet tërësisht nga vota e shumicës socialiste në Parlament.

Logu:

Jo, ajo që ndodhi ditën e sotme besoj është veprimi i pritshëm për çdo jurist, veçanërisht për juristët që trajtojnë çështje penale, sepse për sa kohë që vetë Prokuroria e Posaçme kishte vlerësuar që ekziston një rrezik për prishjen e provave, është e qartë që dhe rikthimi i Belinda Ballukut për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese vazhdonte që ky risk të ishte permanent dhe do duhej që prokurorët e posaçëm të kërkonin marrjen e një mase që të hiqnin mundësinë Belinda Ballukut për të vazhduar po themi prishjen e provave, intimidimin e dëshmitarëve apo pengimin, si me thënë, të drejtësisë për të vepruar në këtë çështje.

Kështu që në këtë kuptim unë mendoj që është praktika më normale që duhet të ndiqte Prokuroria e Posaçme në vijim të atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, i cili edhe pse nuk është një vendim përfundimtar, efektivisht në fakt, në mënyrë të përkohshme ka rikthyer Belinda Ballukun në detyrë deri në momentin që do të ketë një vendim përfundimtar sa i përket kërkesës.

Në 22 janar që do jetë shqyrtimi. Megjithëse nuk pritet që po më 22 janar ne të kemi një vendim. Sigurisht nuk pritet po ashtu që po më 22 janar ne të kemi edhe sikur ata të arrijnë një vendim, maksimumi do kemi dispozitivin e vendimit po sa të zbardhet vendimi të publikohet në fletore zyrtare e kështu me radhë, do kalonte një kohë e caktuar. Kështu që në kushtet e emergjencës ishte e nevojshme që të merrej  kjo masë. Pra, heqja e imunitetit me qëllim që të autorizohej ose arresti në shtëpi, ose arresti në burg, varësisht nga vlerësimi që do ketë prokurori, sepse me sa po e shohim dhe kërkesa, i ka kërkuar, po themi, autorizim parlamentit për të dyja këto masa dhe më pas do vlerësojë.

Deri më tani, edhe anëtarët e Këshillit të Rregullores së Imunitetit dhe Mandateve kanë marrë në fakt vetëm ato dy dokumenta që ju publikuat. Askush nga ata nuk ka as relacionin, që është në mënyrë të përmbledhur shkeljet ose, si me thënë, veprimet e paligjshme që pretendon që ka kryer Belinda Balluku dhe rastet në të cilat, në episodet në të cilat ajo ka qenë e përfshirë.

Nuk kanë, nuk ju është vënë akoma në dispozicion as relacioni dhe as provat e bashkëlidhur, sepse po të shikoni kërkesën që ka ardhur sot në Kuvend, ka të shoqëruar me të dhe një urdhër për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, për shkak, besoj, se çështja është nën hetim. Kjo duhet të ketë qenë edhe arsyetimi. Kështu që ditën e premte ju do shikoni që mbledhja, për shembull, e Këshillit për Rregullore, Mandate dhe Imunitetit, me shumë mundësi do jetë një mbledhje e mbyllur, me kërkesë të prokurorëve të posaçëm për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.

Pas kësaj mbledhjeje, vetëm në rast se do kërkojë kohë dhe mund të ndodhë, sepse përgjithësisht avokatët, po themi, e eksponentëve të Partisë Socialiste e kanë kërkuar një kohë të caktuar që të përgatisin mbrojtjen e tyre. Mund të ndodhë që të ketë edhe një, po themi, mbledhje tjetër pas mbledhjes së ditës së premte, ku pritet që prokurorët e posaçëm të prezantojnë apo të paraqesin përpara anëtarëve kërkesën që ata kanë bërë, provat, relacionin e kështu me radhë.

Do ketë mundësi edhe vetë zonja Balluku që të shprehet në qoftë se ajo dëshiron, ose avokatët e saj të shprehen përpara deputetëve lidhur me kërkesën që është bërë, relacionin dhe provat që janë bashkëlidhur, bashkëlidhur saj dhe besoj unë, në çdo rast edhe për efekt, po themi, të disa afateve që ka neni 118 i Rregullores së Kuvendit, kjo çështje do shqyrtohet brenda këtij viti, qoftë edhe në një seancë, po themi, të jashtëzakonshme, pra një sesion të jashtëzakonshëm të Kuvendit, sepse normalisht ishte parashikuar që seanca e kësaj të enjteje të ishte seanca e fundit për këtë sesion, por siç duket nga rrethanat do duhet që Kuvendi të paktën të mblidhet edhe në një seancë tjetër në sesion të jashtëzakonshëm për të dhënë autorizimin për marrjen e masës. Tani ta shohim cila do jetë po themi vendimmarrja e shumicës socialiste.