SPAK kërkon arrestimin, Këlliçi: Kuvendi t'i heqë imunitetin Ballukut! Rama duhet të dorëhiqet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka paraqitur sot, 16 dhjetor, kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Përmes një reagimi në rrjete sociale deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, është shprehur se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku shënon fundin e çdo alibie politike për qeverinë Rama, duke e cilësuar këtë zhvillim si një provë të qartë të kapjes së shtetit nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Sipas Këlliçit, Kuvendi ka detyrimin të veprojë menjëherë, ndërsa përgjegjësia politike nuk ndalet te Balluku, por shkon drejtpërdrejt te kryeministri Edi Rama, dorëheqja e të cilit, thekson ai, është tashmë e pashmangshme.
'Kuvendi i Shqipërisë sigurisht që duhet t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare, të cilën e rivalizon vetëm Edi Rama!'- u shpreh ai
Postimi:
E pandehura Belinda Balluku!
Prokuroria e Posaçme sot i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, deputetes Belinda Balluku, për të bërë të mundur arrestimin e saj.
Nuk ka më asnjë alibi!
Kuvendi i Shqipërisë sigurisht që duhet t’i heqë imunitetin kësaj kleptomaneje ekzemplare, të cilën e rivalizon vetëm Edi Rama!
Por edhe kjo nuk mjafton.
Dorëheqja e Edi Ramës sot është një akt i domosdoshëm, urgjent, i pashmangshëm dhe madje i vonuar.
Manovrat e tij politike, mediatike apo institucionale për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët kanë marrë fund.
Pas dorëheqjes duhet të vijë një proces i gjatë reflektimi shtetëror e shoqëror, se si kjo bandë kriminale dhe Grup i Strukturuar Kriminal arriti deri në majat e shtetit.
Hapi i radhës, pashmangshmërisht duhet të jetë krijimi i kushteve për zgjedhje të lira ku shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre.
Nuk ka zgjedhje e aq më pak anëtarësim në BE me Edi Ramën dhe klikën e tij të kriminalizuar!
Çdo shqiptar sot duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë realitet dhe të ushtrojë të gjithë forcën e vullnetit të tij për një Shqipëri të lirë nga krimi i ndërthurur pistë me korrupsionin.
Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër.
Kjo është një luftë pa kthim për demokracinë, për të ardhmen e vendit tonë, për Shqipërinë