Blushi kërkon arrestimin e Ballukut: Kuvendi të mos bëhet mburojë e korrupsionit të Ramës
SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, numrit 2 të qeverisë Rama.
Deputeti i PL-së, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër duke kërkuar mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, me qëllim autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Blushi thekson se imuniteti politik nuk mund të shërbejë më si mburojë për vjedhjen e taksave të shqiptarëve, ndërsa kërkon që kjo çështje të vendoset si pika e parë e rendit të ditës në seancën plenare të 18 dhjetorit.
Reagimi:
Në zbatim të Rregullores së Kuvendit, neneve 13 dhe 118, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, kërkoj mbledhjen sa më parë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për miratimin e kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin e Zv/Kryeministres, Belinda Balluku.
Miratimi i autorizimit të vendoset si pikë e parë e rendit të ditës të seancës plenare të datës 18 dhjetor.
Vjedhja e taksave të shqiptarëve nuk mund të ketë më asnjë sekondë më shumë imunitet politik dhe Kuvendi nuk mund të shndërrohet kurrë në mburojë të korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të afërt të tij.