Rusia i sekuestron pasuritë Oleksandr Usyk-ut, akuzë për financim të ushtrisë ukrainase
Përplasja mes Rusisë dhe Ukrainës po shtrihet edhe në botën e sportit. Kampioni botëror i peshave të rënda dhe “cruiser”, Oleksandr Usyk, është përfshirë drejtpërdrejt në këtë konflikt pasi autoritetet ruse kanë konfiskuar asetet e tij në Krime, territor i aneksuar nga Moska që prej vitit 2014.
Sipas autoriteteve ruse, masa lidhet me dyshimet se boksieri ukrainas ka financuar Ushtrinë e Ukrainës. Vendimi u konfirmua nga Vladímir Konstantínov, kryetar i parlamentit të Krimesë të vendosur nga Rusia, i cili përmes një njoftimi në Telegram bëri të ditur se lista e pasurive të “nacionalizuara” është zgjeruar, duke përfshirë asetet e 84 individëve dhe subjekteve juridike.
“Këta persona gjenerojnë të ardhura në Krime dhe i përdorin ato për të mbështetur strukturat ushtarake të Ukrainës”, shkroi Konstantínov, duke përdorur gjuhë të ashpër politike.
Përveç Usyk-ut, Rusia ka konfiskuar edhe pasuri të ushtarëve që ndodhen në front dhe të aktivistëve të tjerë pro-ukrainas, mes tyre edhe Volodímir Prisiazhniuk. Në listën e aseteve të sekuestruara përfshihen kompani dhe struktura të rëndësishme ekonomike si “Tavrida Plaza”, grupi TMM dhe miniera “Zasiadko”.
Që prej tetorit të vitit 2022, Krimea ka miratuar një ligj që lejon konfiskimin e pasurive të shteteve të konsideruara “jo miqësore”, një praktikë që ka përfshirë edhe prona të figurave të njohura ukrainase, përfshirë presidentin Volodímir Zelenski, ish-kryeministrin Arseni Yatseniuk dhe këngëtaren Jamala.