Prokuroria kërkoi mandatin e Ballukut, çorientohet Rama, i shpall 'luftë' SPAK: Këtë herë do veprojmë ndryshe....
Menjehërë pas kërkesës së SPAK përcjellë Kuvendit për arrestimin e zëvendëses së tij, Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama nuk e ka mirëpritur aspak mirë kërkesën.
Tashmë i vënë me ‘shpatulla pas murit’ me lëvizjen e fundit të SPAK, dhe tentativave të tij për të shantazhuar Gjykatën Kushtetuese, Rama duket se është në ‘grahmat’ e fundit të qeverisjes së tij dhe në përballjen e zyrtarëvë të lartë shtetërore, që dyshohet se kanë abuzuar me fondet dhe që tanimë u ka ardhur radha për të dhënë llogari mbi shkeljet.
Përmes një statusi kërcënues në X, por i frikësuar njëkohësisht dhe për veten e tij, Rama i ka shpallur zyrtarisht ‘luftë’ SPAK, duke e kërcënuar se do të mbajë një qëndrim lidhur me kërkesën për të arrestuar zëvendësen e tij, madje duke paralajmëruar edhe rishikimin e Reformës në Drejtësi me forcën e kartonëve.
‘S’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi’, thuhet në reagimin e Ramës.
Reagimi
Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren - me burg ose në shtëpi. Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur - një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standardet demokratike europiane - gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht. Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi.