Mamdani i jep post të lartë njeriut të financuar nga Soros që ka 'mbrojtur' Al-Kaedën
Kryebashkiaku i zgjedhur Zohran Mamdani ka zgjedhur një avokat kontrovers, i cili ka mbrojtur një terrorist të Al-Kaedës dhe një udhëheqës radikal anti-Izrael në kampusin e Universitetit Columbia, për një pozicion "të lartë" në bashkinë e qytetit, mëson The Post.
Ramzi Kassem, i cili është gjithashtu profesor juridiku në City University of New York dhe anëtar i ekipit të tranzicionit të Mamdanit për çështje ligjore, është kandidati kryesor për postin e Këshilltarit Kryesor Ligjor, roli më i rëndësishëm këshillues në zyrën e kryebashkiakut, sipas një burimi pranë ekipit të tranzicionit.
Kassem, 47 vjeç, ishte një nga avokatët që mbrojtën Mahmoud Khalil-in, një lider me origjinë siriane i kampit pro-palestinez në Columbia, i cili u ndalua nga Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe ishte projektuar për dëbim. Megjithatë, pas 104 ditësh në një qendër ndalimi, gjykatësit vendosën që ai të lirohej.
"Emërimi i Kassem-it si këshilltar ligjor i qytetit nuk do të pritej mirë nga komuniteti hebre," tha Ken Frydman, një strateg politik demokrat.
"Çdokush ka të drejtë për përfaqësim ligjor… edhe Mahmoud Khalil. Por kjo nuk do të thotë se Ramzi Kassem duhej ta përfaqësonte atë," shtoi ai për The Post.
Kassem, i cili ka lindur në Siri, ka qenë gjithashtu i përfshirë në protesta anti-Izrael në Columbia, ku studioi juridik me një bursë të financuar nga anëtarë të familjes Soros, të njohur për aktivizmin e majtë, sipas dokumenteve.
Në vitin 1999, ai shkroi një letër për redaksinë e gazetës studentore Columbia Spectator, ku kritikonte emërtimin e një sanduiçi si "wrap izraelit", duke thënë se ishte fyes për myslimanët dhe arabët. Në shkrime të tjera për të njëjtën gazetë, ai shkroi se sjellja e Izraelit përbënte "një rast të qartë spastrimi etnik", ndërsa në një artikull të vitit 1998 ai shkroi se hebrenjtë kishin ardhur në Lindjen e Mesme "me synimin për të pushtuar tokën". Një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe Palestinës "nuk është e zbatueshme dhe as e dëshirueshme", pretendonte ai.
Burime të tjera thanë se mendojnë se Kassem do të ishte një "zgjedhje shumë e mirë" për këtë post.
"Ka ardhur koha që zyra e Këshilltarit Ligjor të qytetit të përditësohet dhe të rifreskohet. Nuk kam ndonjë kundërshtim të madh ndaj mënyrës si ka funksionuar deri tani, por shumë njerëz në krye kanë qenë aty prej shumë kohësh," tha avokati Ron Kuby.
Në vitin 2009, Kassem themeloi një studio ligjore në CUNY, e cila ofron përfaqësim ligjor falas për myslimanët dhe komunitete të tjera në New York. Organizata jofitimprurëse, Creating Law Enforcement Accountability and Responsibility (CLEAR), financohet kryesisht nga fondacionet Open Society të filantropit progresist George Soros, të cilat i kanë dhënë studios mbi 3 milionë dollarë, sipas të dhënave publike.
CLEAR ka marrë gjithashtu të paktën 1 milion dollarë nga MacKenzie Scott, ish-bashkëshortja e CEO-së së Amazon, Jeff Bezos.
Në vitin 2022, administrata Biden e emëroi Kassem-in këshilltar të lartë politik për çështjet e emigracionit.
Kassem dhe shtabi elektoral i Mamdanit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesës për koment nga The Post.
Organizata kontroverse Council on American Islamic Relations (CAIR), grupi më i madh i të drejtave civile të myslimanëve në SHBA, e nderoi Kassem-in me një çmim në shtator për punën e tij në mbrojtjen e Khalil-it. Si Teksasi ashtu edhe Florida e kanë shpallur së fundmi CAIR një organizatë të huaj terroriste. / New York Post – Syri.net