Shpërthimi i një bombule shkatërron banesën në Elbasan, nëna dhe fëmijët mbeten pa strehë
Një shpërthim i një bombule 3-litërshe mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit shkatërroi plotësisht banesën e Delina Bardhit, e cila jetonte së bashku me djalin e saj dhe dy fëmijët jetimë të të vëllait.
E tronditur, Delina tregoi se qeni i saj e ka shtyrë jashtë banesës për ta shpëtuar, pasi ajo kishte tentuar të hynte përsëri brenda për të fikur zjarrin.
Flakët përfshinë shtëpinë në pak sekonda, duke e lënë atë dhe familjen e saj të pastrehë.
Delina bën apel që shteti dhe institucionet përkatëse t’i vijnë në ndihmë për të siguruar një strehë të sigurt për të dhe fëmijët e saj, pasi përveç një ndihme ekonomike të njëhershme, nuk ka asnjë të ardhur tjetër për të mbajtur familjen.
Vëllai i saj, Bujar Bardhi, kërkon ndihmë që për motrën të gjendet një banesë e sigurt, pasi shpërthimi ka shkatërruar dritaret dhe muret e rrethimit, dhe pjesa që ka mbetur mund të shembet në çdo moment.