Shabani, Avokat i Popullit! Meta: Kur autokrati qëllon edhe kleptokrat, vetëm vjedhje duhen pritur (Pjesa e dytë)
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë nga qelia për Syri.net komentin dhe rrëmbimin e postit të Avokatit të Popullit nga Rama.
"Kur autokrati qëllon edhe kleptokrat, vetëm vjedhje duhen pritur edhe kur nuk i ka të domosdoshme apo të nevojshme" nënvizon ai. Sa i takon reformave, Meta thotë se opozita duhet të bëjë publike për qytetarët por edhe OSBE-ODIHR, variantin e saj të Reformës Zgjedhore, e cila duhet t’i bashkojë të gjitha partitë opozitare me objektiv kryesor hapjen e listave, por mbi të gjitha lidhjen e deputetit me qytetarin direkt.
Pjesa e dytë e intervistës
Rama i rrëmbeu opozitës edhe të drejtën për të patur Avokatin e Popullit. Cili është gjykimi juaj?
Kur autokrati qëllon edhe kleptokrat, vetëm vjedhje duhen pritur edhe kur nuk i ka të domosdoshme apo të nevojshme.
Jam krenar që deputetët e Partisë së Lirisë mbështetën zonjën Adriana Kalaja, një personalitet i hekurt i mbrojtjes së interesit publik dhe luftës kundër korrupsionit.
Opozitës nuk i lejohet spontaniteti në këto kushte të jashtëzakonshme që ndodhet për shkak të ballafaqimit me një regjim mafioz që investon çdo ditë për diversion e përçarje brenda opozitës.
Iniciativa për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit kishte rëndësi të madhe politike jo se do e shkarkonte atë, por për të denoncuar shkatërrimin e parlamentarizmit nga shumica, por kur në fund votohet nga aq pak deputetë të opozitës, është zhgënjyese.
Problemi kryesor i opozitës nuk është fakti se nuk ka fuqi bllokuese, por qartësia e mesazhit, iniciativës dhe veprimit politik.
Në këto 35 vite kemi dy raste kur opozita në Kuvend edhe pse në numra ishte më pak e rëndësishme se sot, por pati një impakt shumë të fuqishëm në publik.
Rasti i parë grupi parlamentar i PD në 1991 dhe rasti i dytë grupi parlamentar i PS në 1992.
A mendoni se pas rrëmbimit të Avokatit të Popullit , opozita duhet të braktisë edhe Reformën Zgjedhore dhe atë Administrative-Territoriale?
Së pari, unë besoj se opozita duhet të bëjë publike për qytetarët tanë , por edhe OSBE-ODIHR, variantin e saj të Reformës Zgjedhore, e cila duhet t’i bashkojë të gjitha partitë opozitare me objektiv kryesor hapjen e listave, por mbi të gjitha lidhjen e deputetit me qytetarin direkt.
Këtë projekt t’ja dorëzojë mazhorancës dhe ajo të bëjë si të dojë.
Së dyti, opozita duhet të japë alternativën e saj publike edhe për reformën administrative-territoriale bazuar në kriteret ndërkombëtare dhe realitetin tonë, duke përfshirë mendimet e të gjitha partive (dhe ekspertëve).
Përsëri këtë platformë t’ia dërgojë mazhorancës.
Në këtë mënyrë, opozita edhe jep alternativat e saj më të mira, por edhe nuk shërben si dekor për politikën e faktit të kryer në minutën e fundit nga shumica.
Këto alternativa duhet t’ia bëjë të njohura edhe BE, OSBE-ODIHR etj.