Jo më ndeshje tenisi në kushte ekstreme, ATP vendos rregulla të reja për temperaturat e larta dhe lagështinë

Pas polemikave të sezonit të kaluar, ATP po prezanton një rregull të ri për vitin 2026 që do të mundësojë pezullimin e ndeshjeve në rast të kushteve ekstreme të motit. Ky protokoll, i cili synon të mbrojë lojtarët, është tashmë në fuqi në WTA.

“A doni që një lojtar të vdesë në fushë?” pyeti lojtari danez Holger Rune gjatë turneut të Shangait në tetor, ku temperaturat tejkaluan 30 gradë Celsius dhe nivelet e lagështisë ishin mbi 80%.

Sipas rregullit të ri, një tenist do të mund të kërkojë një pushim dhjetë minutësh gjatë setit të tretë për t’u freskuar, nëse indeksi WBGT – i cili llogarit temperaturën, lagështinë dhe erën – arrin 30.1 gjatë dy seteve të para. Në rast se ky indeks tejkalon 32.2, ndeshja do të pezullohet plotësisht.

ATP thekson se ky protokoll synon të mbrojë shëndetin e lojtarëve, por gjithashtu të përmirësojë kushtet për spektatorët, gjyqtarët, djemtë e topit dhe stafin organizativ të turneut.

Deri më tani, vendimet për ndeshjet në kushte të vështira i merrte mbikëqyrësi i turneut, në bashkëpunim me ekipet mjekësore dhe organizatorët lokalë. Sezoni i ATP 2026 nis më 2 janar në Australi me United Cup, turne i ekipeve kombëtare.