Kur fillon dimri? Udhëzuesi për solsticin e dimrit 2025
Kur është dimri? Parashikuesit e motit në Hemisferën Veriore thonë se dimri zgjat nga 1 dhjetori deri në fund të shkurtit. Ky quhet dimër meteorologjik. Por, sipas pjerrësisë së Tokës dhe orbitës së saj rreth diellit, dimri zgjat nga 21 dhjetori 2025 deri me 20 mars 2026. Ky është dimri astronomik.
Dimri astronomik fillon me solsticin e dimrit, ditën më të shkurtër të vitit në veri të ekuatorit, dhe përfundon me ekuinoksin, që shënon fillimin e pranverës.
Këtë vit, solstici i dimrit ndodh të dielën, me 21 dhjetor, në orën 10:03 paradite sipas orës EST (15:03 UTC), sipas Time and Date. Ai shënon ditën më të shkurtër të vitit dhe ditën e parë të dimrit astronomik në Hemisferën Veriore, sepse boshti i rrotullimit të Tokës është i anuar me 23.5 gradë.
Gjatë solsticit të dhjetorit, boshti verior i Tokës anohet larg diellit, duke bërë që Hemisfera Veriore të ketë orët më të pakta të dritës së ditës. Solstici shënon momentin kur dielli duket sikur ndalon lëvizjen drejt jugut dhe fillon të lëvizë sërish drejt veriut në qiell. Fjala "solstic" vjen nga latinishtja dhe do të thotë "dielli ndalon".
Në Hemisferën Jugore ndodh e kundërta: atje është solstici i verës. Boshti jugor i Tokës anohet drejt diellit, duke sjellë më shumë orë drite dhe natën më të shkurtër të vitit.Këto skaje ndihen më fort në polet e Tokës. Në solstic, dielli nuk lind në Polin e Veriut dhe nuk perëndon në Polin e Jugut.
Solstici i dimrit është festuar prej kohësh si "rilindja e diellit" në Hemisferën Veriore, sepse pas tij ditët fillojnë të zgjaten. Festa më e njohur mbahet në Stonehenge, një strukturë 5 mijë vjeçare në Angli, e ndërtuar për t'u përputhur me pozicionin e diellit gjatë solsticit. / Live Science – Syri.net