'Tri kallashnikov AK-47, 2 automatikë dhe...'/ Trafik armësh nga Shqipëria drejt Italisë, arrestohen 2 shqiptarë
Gjatë një operacioni për kontrollin e territorit dhe parandalimin e trafikut të paligjshëm, Reparti i Guardia di Finanza i Monfalconit, në bashkëpunim me Njësinë e Policisë Ekonomike dhe Financiare të Triestes, ndaluan një furgon me targa shqiptare në pikën kufitare sllovene të Sant’Andrea.
Në automjet ndodheshin pesë pasagjerë dhe dy shoferë, të gjithë shtetas shqiptarë. Shoferët shfaqën sjellje të dyshimta, nervozizëm, padurim dhe shkëmbim shikimesh të tensionuara, gjë që tërhoqi vëmendjen e efektivëve, veçanërisht gjatë kontrollit të bagazheve.
Një valixhe me peshë të madhe u inspektua me kujdes, dhe brenda saj u gjetën tre armë automatike “Kalashnikov AK-47” të fshehura. Kontrolli i mëtejshëm i automjetit çoi në gjetjen e dy armëve të tjera automatike dhe pesë karikatorëve me gjithsej 356 fishekë.
Të gjitha armët dhe celularët e shoferëve u sekuestruan. Dy shoferët u arrestuan në flagrancë për shkelje të ligjit mbi armët (neni 1 i Ligjit 895/1967).
Hetimet e mëtejshme, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, çuan në identifikimin dhe arrestimin në pikën kufitare Hot të personit përgjegjës për dërgimin e armëve.