Mirditë/ 7 mijë banorë pa ujë të pijshëm, nis riparimi i ujësjellësit pas dëmtimeve nga shirat e rrëmbyeshëm

Prej ditës së djeshme ka nisur puna për riparimin e ujësjellësit të Mirditës, i dëmtuar nga shirat e rrëmbyeshëm të fillimit të dhjetorit, të shoqëruar me gërryerje të mëdha të tokës. Si pasojë, qyteti i Rrëshenit dhe disa fshatra të kësaj bashkie mbetën pa furnizim me ujë të pijshëm.

Tubacionet u dëmtuan në zona të vështira dhe me akses të kufizuar, duke vështirësuar punën e riparimit.

Bashkia Mirditë ka angazhuar mjete të rënda dhe fuqi punëtore në bashkëpunim me Drejtorinë e SHA Ujësjellës-Kanalizime, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga manovratorë privatë.

Kreu i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, deklaroi se puna po vijon me intensitet dhe se brenda dy ditësh ujësjellësi pritet të rikthehet plotësisht në funksion, duke garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm për banorët.

Dëmtimi i ujësjellësit ka lënë pa ujë të pijshëm rreth 7 mijë banorë.

Për qytetin e Rrëshenit është siguruar një zgjidhje provizore me furnizim të kufizuar në orare të caktuara, ndërsa për rreth 10 fshatra furnizimi me ujë ende nuk ka qenë i mundur.