Sacchi: Napoli më europian dhe favorit për titullin, më pas Interi dhe Milani

Arrigo Sacchi, një nga figurat më të mëdha të historisë së Milanit dhe futbollit italian, vijon ta ndjekë me vëmendje Serinë A. Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ish-trajneri legjendar ka dhënë analizën e tij për garën e titullit, duke theksuar se kampionati mbetet i hapur.

“Sot Milani, Interi dhe Napoli kanë treguar edhe dobësitë e tyre. Asgjë nuk e përjashton Romën nga lufta për titullin, ka ende kohë që ajo të futet seriozisht në garë”, është shprehur Sacchi.

Duke analizuar ecurinë e skuadrës së drejtuar nga Cristian Chivu, ai ndalet te mungesa e fitoreve në përballjet direkte: “Duhet pyetur pse nuk ka fituar asnjë ndeshje të tillë. Aty qëndron një problem i rëndësishëm”.

Ndërkohë, Sacchi vlerëson përmirësimin e Milanit nën drejtimin e Massimiliano Allegrit: “Allegri i ka dhënë skuadrës strukturë dhe mentalitet”. Megjithatë, ai ngre një pikëpyetje të madhe: “Pse kaq shumë pikë të humbura ndaj skuadrave të mesme dhe të vogla? Duhet punuar shumë, sidomos në fazën mbrojtëse”.

Sa i përket Napolit, Sacchi thekson investimet e mëdha në merkato dhe fatin e keq me dëmtimet: “I shpjegoj kështu luhatjet e Contes. Kur Napoli luan mirë, ka stilin më europian nga të gjithë. Interi, nga ana tjetër, lëkundet pak në mbrojtje, edhe pse ka një sulm shumë të fortë. Milani është shumë konkret”.

Në fund, Sacchi nuk shmanget nga parashikimet: sipas tij, Napoli është favorit për titullin kampion, i ndjekur nga Interi dhe Milani. Vetëm koha do të tregojë nëse ky parashikim do të rezultojë i saktë.