‘Ndiqni shembullin e Cristiano Ronaldos, jo të Messit’, mesazhi i fortë i Marchisio-s
Ish-mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka bërë një reflektim që ka ngjallur debat mbi dy ikonat që kanë dominuar futbollin botëror për më shumë se një dekadë: Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi. Në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ish-‘ylli’ bardhezi ka qenë i drejtpërdrejtë në mendimin e tij.
“Ndiqni shembullin e Cristiano Ronaldos. Nëse kërkoni një model për t’u bërë një kampion i madh, zgjidhni atë të tijin dhe jo të Messit”, ka deklaruar Marchisio, i cili ka qenë shok skuadre me CR7 gjatë periudhës së portugezit te Juventusi.
Sipas ish-futbollistin të Italisë, dallimi mes dy legjendave qëndron te mënyra se si kanë arritur majat. “Cristiano ishte tashmë një ‘yll’, por u desh ta ndërtonte edhe më shumë veten. Ai punoi jashtëzakonisht fort për të arritur aty ku është sot. Messi, nga ana tjetër, është një talent i bekuar nga Zoti, pothuajse nuk kishte nevojë të stërvitej”, shpjegoi Marchisio.
Ai theksoi se madhështia e Messit e bën argjentinasin pothuajse të pamundur për t’u imituar, ndërsa rruga e Ronaldos përfaqëson një model më realist për të rinjtë që synojnë nivelet më të larta të futbollit.
Marchisio kujtoi edhe momentin kur Cristiano Ronaldo mbërriti tek Juventusi në vitin 2018, duke përshkruar ndikimin e menjëhershëm në dhomat e zhveshjes. “Atë ditë, kur hyra në ambientet e klubit, Barzagli dhe unë u pamë me njëri-tjetrin. Kishim parë edhe më parë emra të mëdhenj si Tévez, por me Ronaldon të gjithë menduam: ‘Këtë herë po vjen vërtet një superyll’”.
Deklaratat e Marchisio-s kanë hapur sërish diskutimin klasik Ronaldo–Messi, duke vënë theksin jo vetëm te talenti, por edhe te puna dhe mentaliteti si çelës i suksesit në futboll.