Nënkontraktorët e 'Bankers Petroleum' në krizë: Rreth 200 punëtorë pa paga prej muajsh

Rreth 200 punëtorë, të angazhuar si nënkontraktorë të kompanive Bankers Petroleum dhe Global Energy, po përballen me një situatë të rëndë sociale, pasi prej 4–5 muajsh nuk kanë marrë pagat e tyre, ndërsa kriza po thellohet nga dita në ditë.

Sipas dëshmive të punëtorëve, paga e muajit nëntor nuk është dhënë, ndërsa dhjetori po mbyllet pa asnjë zgjidhje, duke i lënë familjet e tyre pa të ardhura në një periudhë veçanërisht të vështirë ekonomikisht.

“Po punojmë, por nuk paguhemi”

Punëtorët shprehen se problemet kanë nisur që në fund të verës dhe janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Pavarësisht se kanë vijuar punën dhe kanë përmbushur detyrimet e tyre, pagesat janë ndërprerë pa asnjë njoftim zyrtar apo afat të qartë për shlyerje.

LEXO EDHE: 'Kompania po na zhvat, shteti hesht' – Naftëtarët e Fierit në ditën e 16-të të protestës

“Kemi 4 deri në 5 muaj që presim rrogat. Nëntori kaloi pa pagesë dhe tani po mbaron edhe dhjetori. Askush nuk na jep përgjigje,” – thonë punëtorët.

Një tjetër element shqetësues, sipas punëtorëve, është fakti se përfaqësuesit kinezë të kompanisë janë larguar nga vendi, duke lënë pas vetëm dy persona, çka ka shtuar pasigurinë për të ardhmen e aktivitetit dhe për pagesën e detyrimeve të prapambetura.

Largimi i tyre ka krijuar konfuzion të plotë mbi përgjegjësitë financiare dhe ligjore, ndërsa punëtorët ndihen të braktisur nga punëdhënësi dhe të pambrojtur nga institucionet shtetërore.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga ana e Bankers Petroleum apo Global Energy lidhur me situatën e krijuar, as për afatet e pagesave dhe as për vijimësinë e kontratave. Po ashtu, punëtorët thonë se institucionet shtetërore nuk kanë ndërhyrë, pavarësisht ankesave dhe shqetësimeve të përsëritura.

LEXO EDHE: SYRI TV/ Naftëtarët e ‘Bankers’ 15 ditë grevë urie: Nëse s’ka negociatë, grevë te kryeministria...

Kjo situatë ngre pikëpyetje serioze për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, rolin e Inspektoratit të Punës dhe përgjegjësinë e shtetit në monitorimin e kompanive që operojnë në sektorë strategjikë si ai i energjisë dhe naftës.

Mungesa e pagave ka sjellë pasoja të rënda sociale. Shumë prej punëtorëve janë kryefamiljarë dhe po përballen me pamundësi për të përballuar shpenzimet bazë, kreditë, qiratë dhe nevojat e përditshme.

“Jemi afër 200 veta. Nuk kemi me çfarë të jetojmë. Po na çojnë drejt një shpërthimi social,” – paralajmërojnë ata.

Punëtorët u bëjnë thirrje qeverisë, Ministrisë së Energjisë dhe Inspektoratit të Punës që të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar pagesën e rrogave të prapambetura dhe për të sqaruar situatën ligjore të kompanive.

Nëse situata vijon të mbetet pa zgjidhje, ata paralajmërojnë protesta dhe përshkallëzim të reagimit, duke theksuar se nuk kanë më asgjë për të humbur.