Schlotterbeck shumë i shtrenjtë për Barcelonën, operacioni do të kushtonte 125 milionë euro

Pavarësisht afirmimit të Gerard Martin përkrah Pau Cubarsí, Barcelona vazhdon të mbajë nën vëzhgim tregun e mbrojtësve, për shkak të mungesës së thellësisë në repart dhe pasigurisë që rrethon të ardhmen afatgjatë të Ronald Araujo-s. Për këtë arsye, drejtuesit katalanas po shqyrtojnë alternativa të rëndësishme për prapavijën.

Një nga emrat që pëlqehet më shumë nga trajneri aktual i Barcelonës, Hansi Flick, është Nico Schlotterbeck. Qendërmbrojtësi i Borussia Dortmundit ka kontratë deri në vitin 2027 dhe, sipas raportimeve, nuk është i bindur për rinovimin me klubin gjerman.

Situata e tij ka tërhequr vëmendjen e disa gjigantëve europianë. Bayern Munich, Real Madrid dhe Barcelona po ndjekin nga afër zhvillimet, ndërsa sipas “BILD”, Dortmund është gati t’i ofrojë ndërkombëtarit gjerman një kontratë me vlerë rreth 14 milionë euro bruto në sezon, përfshirë bonuset. Bayerni, nga ana tjetër, mund të shkojë deri në 15 milionë euro në vit. Për kartonin e lojtarit, klubi verdhezi kërkon të paktën 50 milionë euro.

Nëse Schlotterbeck do të firmoste një kontratë pesëvjeçare, duke llogaritur pagën dhe tarifën e transferimit, operacioni total do t’i kushtonte Barcelonës rreth 125 milionë euro. Një shifër shumë e lartë, që ngre pikëpyetje serioze mbi mundësinë reale të katalanasve për ta realizuar këtë transferim, sidomos në kushtet e problemeve financiare dhe kufizimeve të Fair Play-t financiar.

Për momentin, Barcelona mbetet vigjilente, por një lëvizje e tillë duket tepër e vështirë për t’u konkretizuar.