Teliti: Buxheti 380 mln euro i Tiranës, mashtrim! Gjysma të pashpenzuara, taksa pa shërbime për qytetarët
I ftuar në emisionin e mëngjesit 'Kafe Shqeto' me gazetarin Flavio Qarri, në Syri Tv, Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, theksoi se buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm përfaqëson një tjetër dështim të rëndë të qeverisjes vendore, duke e cilësuar atë një kopje të buxheteve të viteve të shkuara, pa vizion dhe pa zgjidhje për problemet reale të qytetarëve.
Teliti denoncoi faktin se, ndonëse buxheti kap shifrën mbi 380 milionë euro, më shumë se 70% e tij do të shkojë për paga dhe shpenzime operative të një administrate të fryrë 2.5 herë gjatë 11 viteve të fundit, ndërkohë që investimet në infrastrukturë, shkolla, çerdhe dhe shërbime bazë mbeten minimale ose inekzistente.
Ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës vazhdon të planifikojë fonde për projekte që nuk realizohen, ndërsa qytetarët paguajnë taksa gjithnjë e më të larta pa marrë shërbimet përkatëse. Sipas Telitit, vetëm 25% e investimeve të planifikuara janë realizuar gjatë këtij viti, ndërsa mbi 160 milionë euro nga buxheti aktual mbeten të pashpenzuara dhe do të mbarten për vitin e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, Teliti denoncoi parashikimin e rreth 14 milionë eurove për inceneratorin fantazëm që nuk ekziston, shpërdorimin e fondeve për evente dhe marketing, si dhe mungesën totale të mbështetjes për ndihmën ekonomike dhe programet e strehimit social, procedurat e të cilave, sipas tij, janë bllokuar nga vetë bashkia.
Pjesë nga deklarata:
Në emër të grupit opozitar, kur kam mbajtur fjalën, kam vënë pikërisht atë shqetësim që thotë Adriana, pra një procedurë e ndjekur jo e saktë, një shkarkim si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, jo konform procedurave dhe kërkesave ligjore. Por, nga ana tjetër, duhet të kemi parasysh edhe diçka: pas 24 protestave të bëra bashkë me Adrianën, ishte imperative që ne, si përfaqësues të opozitës, në momentin e parë që kishim kërkuar prej javësh, prej muajsh e prej vitesh shkarkimin e Erion Veliajt, të mos dilnim para qytetarëve dhe të merrnim një vendimmarrje politike ndryshe nga shkarkimi i tij.
E denoncuam faktin që kjo ishte një procedurë jo e rregullt. Kërkuam që Këshilli Bashkiak të proceduronte dhe, në fund fare, votuam, por nga kartonat e mazhorancës. Qëndrimi ynë politik ka qenë i qartë.
Kemi një buxhet për vitin e ardhshëm që është mbi 380 milionë euro. Është një buxhet i cili, në formë, strukturë dhe përmbajtje, nuk ka asnjë lloj ndryshimi nga buxheti i vitit aktual. Është një buxhet që do të vazhdojë të paguajë përsëri, në masën mbi 70%, shpenzime për paga dhe shpenzime operative të një administrate të fryrë 2.5 herë gjatë 11 viteve të fundit, dhe një buxhet që nuk do të kryejë asnjë investim thelbësor në infrastrukturën që i mungon Tiranës.
Është një buxhet për vitin e ardhshëm prej 380 milionë eurosh, ku përsëri do të vazhdojnë të mungojnë shkollat, çerdhet dhe kopshtet në Astir, në kurorën e liqenit dhe në zonën e Freskut. Është gjithashtu një buxhet që vitin e ardhshëm do të shpenzojë pothuajse 14 milionë euro për inceneratorin fantazmë që nuk ekziston. Po ashtu, është një buxhet që vitin e ardhshëm do të shpërdorohet përsëri për evente kulturore dhe evente marketingu, ndërkohë që asnjë qindarkë nuk jepet për ndihmën ekonomike.
Është një buxhet që vitin e ardhshëm përsëri nuk do të sigurojë strehimin e familjeve që duhet të strehohen sipas programit të strehimit social, pasi procedurat janë bllokuar nga Bashkia e Tiranës. Por, mbi të gjitha, pavarësisht se çfarë planifikohet, kur vjen puna te zbatimi, në janar, shkurt dhe mars, sepse gjërat do të vazhdojnë të jenë siç janë aktualisht, do të jenë po këta të dështuarit e këtij viti që do të menaxhojnë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm.
Do të jenë po këta që kanë planifikuar investime për vitin 2025 dhe i kanë realizuar katër herë më pak sesa planifikimi i tyre. Katër herë më pak. Dhe vitin e ardhshëm mund të planifikosh mrekullira që as nuk janë planifikuar, sepse nuk kanë vizion. Por edhe sikur të kishin planifikuar mirë dhe saktë fondet publike të Bashkisë së Tiranës, përsëri do të jenë po këta që i shkruajnë në letër dhe, kur vjen puna te zbatimi, nuk i zbatojnë.
E përsëris edhe një herë: janë tejet të aftë për të mbledhur taksa dhe tatime nga qytetarët dhe bizneset. Janë mjeshtra për të vendosur gjoba ndaj atyre që bëjnë shkelje të vogla, ndoshta edhe të parëndësishme, por që sipas ligjit duhen ndëshkuar. Këtu nuk ka rëndësi se kush është kryetar bashkie, qoftë Erion Veliaj, Leka, Edi Rama apo kushdo qoftë. Këtu ka eficiencë maksimale.
Por kur vjen puna për t’ua kthyer shërbimet qytetarëve, për një jetë më të mirë, për një qytet më të mirë, më të pastër e më të shërbyer, këtu ngelet gjithçka, madje ngelet me yll.
E përsëris: vetëm 25% e investimeve janë realizuar këtë vit. Dhe në këtë filozofi, nëse nuk ndryshojnë ekipet dhe nuk ndryshon mendësia, vitin e ardhshëm praktikisht do të kemi të njëjtin rezultat. Ti ke planifikuar fonde për investime për vitin e ardhshëm, të cilat nuk janë absolutisht të mjaftueshme, por edhe ato do të përballen përsëri me të njëjtën neglizhencë dhe paaftësi me të cilën janë përballur gjatë vitit aktual dhe vitit të kaluar, kur ka qenë vetë Veliaj në drejtim, ku realizohet vetëm një e katërta e investimeve të planifikuara.
Po ju them edhe një shifër: a e dini se sa fonde mbarten nga ky vit të papërdorura për vitin e ardhshëm? Më shumë se 160 milionë euro. Kjo do të thotë 160 milionë euro të marra nga xhepat tanë, nga taksat, tarifat, tatimet dhe gjobat, të cilat, në vend që të na ktheheshin mbrapsht për më shumë shërbime, për shkolla, kopshte dhe qendra shëndetësore, mbarten për vitin e ardhshëm si fonde të papërdorura.
Ky është një fenomen që vazhdon prej pesë vitesh në Bashkinë e Tiranës, ku vit pas viti mbarten fondet. E thënë ndryshe, Tirana taksohet, por ato taksa nuk kthehen në shërbime. Janë para më pak në xhepat tanë, më pak në xhepat e qytetarëve, familjeve dhe bizneseve, para që ata mund t’i kishin përdorur për të përmirësuar jetesën e tyre. Por jo, bashkia ka vendosur t’i marrë dhe të mos t’i kthejë.