Thiago Motta refuzon edhe Real Sociedad-in, Juventusi nuk kursen para

Pas largimit nga Juventusi, Thiago Motta ka zgjedhur të marrë kohë për veten dhe familjen e tij. “Ditë pushimi të mrekullueshme. Ishin pak, por i shijuam në maksimum”, ka shkruar bashkëshortja e tij, Angela, duke konfirmuar një periudhë reflektimi për trajnerin italo-brazilian.

Ndërkohë, emri i Motta-s ka vazhduar të qarkullojë në merkato. Pas zërave për një interesim nga Fiorentina, Monaco dhe Spartak Moska, së fundmi në skenë kishte dalë edhe Real Sociedad. Megjithatë, sipas mediave italiane, edhe kjo pistë është mbyllur, pasi ish-trajneri i Bologna-s dhe Juventusit ka vendosur ta refuzojë ofertën e klubit bask.

Motta duket se pret një projekt që e bind plotësisht dhe një mundësi të rëndësishme për t’u rikthyer në pankinë, pa nxituar në zgjedhje që nuk përputhen me ambiciet e tij profesionale. Në këtë kuadër, refuzimi i Real Sociedad-it konfirmon dëshirën e tij për të pritur momentin e duhur.

Nga ana tjetër, Juventusi nuk ka ndërmend të zbusë qëndrimin ndaj ish-trajnerit. Klubi bardhezi vazhdon linjën e tij pa lëshime, duke e konsideruar kapitullin Motta të mbyllur dhe duke u fokusuar ekskluzivisht te e tashmja dhe e ardhmja sportive.

Situata mbetet e hapur për Motta-n, i cili, edhe pse momentalisht jashtë pankinave, mbetet një emër i vlerësuar në panoramën europiane dhe në pritje të sfidës së radhës.