Amorim: Ndeshje spektakolare për tifozët, por meritonim më shumë se barazimi
Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, u shfaq i kënaqur vetëm pjesërisht pas barazimit 4-4 ndaj Bournemouth në Premier League, në takimin e zhvilluar të hënën mbrëma në “Old Trafford”. Portugezi vlerësoi spektaklin e ofruar për publikun, por theksoi se skuadra e tij duhej të kishte marrë një rezultat tjetër.
“Ishte një ndeshje shumë argëtuese. E nisëm shkëlqyeshëm dhe bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, ndaj rezultati në atë fazë duhej të ishte krejtësisht ndryshe. Më pas humbëm përqendrimin dhe kundërshtari shënoi dy gola. Reaguam mirë, u rikthyem në lojë duke shënuar sërish dy herë, por në fund duhet ta kishim mbyllur ndeshjen në favorin tonë”, deklaroi Amorim.
Sipas tij, problemi kryesor mbetet menaxhimi i avantazhit. “Duhet të mësojmë të mos tërhiqemi kur jemi përpara, por të ruajmë qetësinë dhe ta administrojmë ndeshjen deri në fund. Ka shumë elementë pozitivë, por edhe shumë gjëra për t’u përmirësuar”, shtoi trajneri i “Djajve të Kuq”.
Amorim nënvizoi edhe rëndësinë e detajeve: “Nuk po i fitojmë ndeshjet për shkak të detajeve. Pikërisht aty duhet të përqendrohemi më shumë, të lexojmë më mirë lojën dhe të jemi më cinikë, sepse krijojmë shumë raste për të fituar”.
Në fund, ai theksoi ndryshimin në performancë krahasuar me ndeshjet e fundit në shtëpi: “Duhet të fokusohemi te paraqitja, e cila ishte ndryshe nga dy takimet e fundit në ‘Old Trafford’. Rezultati mund të jetë zhgënjyes, por performanca ishte më e mirë”.