Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Elbasan, fatmirësisht pa të plagosur
Një bombol gazi ka shpërthyer mesditën e sotme në lagjen “5 Maji” në qytetin e Elbasanit, duke shkatërruar plotësisht një banesë private. Fatmirësisht, nga shpërthimi i fuqishëm nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas informacioneve paraprake, zonja e shtëpisë ka arritur të dalë në kohë nga banesa për të kërkuar ndihmë, pasi bombola ishte përfshirë nga flakët. Në momentin e shpërthimit ajo ndodhej jashtë, duke pritur mbërritjen e zjarrfikëses.
Si pasojë e fuqisë së shpërthimit, banesa është dëmtuar rëndë dhe është bërë e pabanueshme.
Paraprakisht mësohet se bombola e gazit ishte me kapacitet 5 litra. Shkaqet e shpërthimit po hetohen nga autoritetet përkatëse.