Zelensky: Bisedimet me SHBA-të nuk ishin të lehta, por produktive

Delegacionet e SHBA-ve dhe Ukrainës kanë përshëndetur “progresin e vërtetë” në negociatat për paqen, duke i cilësuar bisedimet “shumë pozitive” dhe përparime në “afërsisht çdo aspekt”. Delegacioni amerikan deklaroi se “90%” e çështjeve midis dy palëve janë zgjidhur.

Bisedimet prej tetë-orëshe, të zhvilluara gjatë së dielës dhe të hënës, përfshinë disa përfaqësues evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe këshilltarë për sigurinë kombëtare nga Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim ku tha se bisedimet me delegacionin amerikan “nuk ishin të lehta”, por produktive.

Zelenskyy gjithashtu vuri në dukje se Rusia po përdor sulmet e saj të pandërprera si levë në negociata, duke theksuar se asnjë central energjetik në Ukrainë nuk ka shpëtuar nga sulmet.

Detajet e sakta nuk janë publike, por Zelenskyy ka theksuar se Kievi nuk do të pranojë asnjë dhënie territori.

Në kontrast të qartë me komentet e javës së kaluar nga Trump, pjesëmarrësit evropianë u përshkruan si “shkëlqyeshëm” dhe konstruktivë gjatë takimeve.

Temë diskutimi ishin edhe garancitë e sigurisë “të ngjashme me Nenin 5” për Ukrainën, për ta mbrojtur nga çdo agresion i ardhshëm rus, pas heqjes dorë të Kievit nga kërkesa e tij e gjatë për t’u bashkuar me NATO-n.

Negociatorët amerikanë thanë se Rusia gjithashtu është e hapur ndaj mundësisë që Ukraina të bashkohet me Bashkimin Evropian.

Presidenti amerikan Donald Trump besohet se është “i kënaqur” me progresin e bërë gjatë bisedimeve.

Disa detyra të mëtejshme janë deleguar grupeve të punës për të përpunuar propozimet ekzistuese, megjithëse ende ekzistojnë disa dallime mbi çështjet e territoreve dhe sovranitetit.

Rusia bëri me dije se pret të marrë informacion të përditësuar mbi bisedimet nga pala amerikane gjatë ditës.