Marrëveshja Itali–Shqipëri për emigrantët: qendra bosh, miliona të shpenzuara/ Meloni fajëson gjyqtarët
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është rikthyer edhe një herë te marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë, gjatë konventës vjetore të partisë së saj Fratelli d’Italia, të mbajtur në Romë. Në fjalimin e saj, Meloni këmbënguli se qendrat për emigrantët në Shqipëri “do të funksionojnë”, duke fajësuar për vonesat dhe mosfunksionimin aktual, vendimet e gjyqësorit italian, të cilat i cilësoi si ideologjike.
“Dua ta di, më argëton të imagjinoj se çfarë do të thonë tani gjyqtarët italianë, duke qenë se Evropa po miraton atë listë ku figurojnë pikërisht vendet e origjinës së atyre migrantëve që, për shkak të vendimeve ideologjike, na është penguar t’i transferojmë në Shqipëri,” u shpreh Meloni. Sipas saj, zhvillimet në nivel evropian përbëjnë një konfirmim të linjës së ndjekur nga qeveria italiane.
Kryeministrja italiane deklaroi se projekti nuk është braktisur dhe se funksionimi i qendrave është vetëm çështje kohe. “Po ndodh saktësisht ashtu siç ju kam thënë gjithmonë: qendrat në Shqipëri do të funksionojnë. Vetëm se do të funksionojnë falë gjyqtarëve, me një vonesë prej një viti e gjysmë,” tha ajo, duke pranuar në mënyrë indirekte se zbatimi i marrëveshjes ka pësuar vonesa të konsiderueshme.
Megjithatë, faktet tregojnë një tjetër realitet. Qendrat për emigrantët në Shqipëri janë sot pothuajse bosh, jo për shkak të gjyqtarëve apo të ashtuquajturave gjykata të politizuara, sic i cilëson kryeministrja italiane, por sepse vetë modeli i marrëveshjes Itali–Shqipëri rezulton problematik dhe në kundërshtim me legjislacionin italian dhe atë evropian.
Vetë Meloni ka pranuar publikisht se ekziston rreziku i një dëmi financiar për shtetin italian. “Ndaj atyre që thonë se këtu po konfigurohet një dëm për buxhetin e shtetit, po, çështja ekziston, zonja dhe zotërinj, por kundërshtimi nuk duhet t’i drejtohet qeverisë, duke qenë se ne mund ta kishim nisur një vit e gjysmë më parë,” deklaroi ajo, duke ia atribuar përgjegjësinë sistemit gjyqësor.
Këto deklarata vijnë pas kritikave të forta dhe denoncimeve të vazhdueshme nga organizatat e shoqërisë civile, mes tyre edhe ActionAid. Sipas të dhënave të publikuara prej saj, fondet e destinuara për ndërtimin dhe funksionimin e qendrave në Shqipëri arrijnë në 73.5 milionë euro. Në total, Ministria italiane e Mbrojtjes ka shpallur tenderë me vlerë 82 milionë euro dhe ka nënshkruar kontrata për mbi 74 milionë euro, ndërsa mbi 61 milionë euro janë shpenzuar realisht, shuma që janë më shumë se dyfishi i parashikimit fillestar prej 31.2 milionë eurosh.
E gjithë kjo ka ndodhur për struktura që sot rezultojnë praktikisht të papërdorura.Në fjalimin e saj, Meloni u përpoq ta paraqiste situatën si një betejë politike të fituar, duke theksuar se “paradigma ka ndryshuar” dhe se Italia ka treguar vendosmëri. “Me sa duket duhej një Itali e vendosur, që të kishte guximin t’i thoshte gjërat ashtu siç janë,” tha ajo.
Kryeministrja shtoi gjithashtu se, sipas saj, qeveria ka arritur të ulë ndjeshëm mbërritjet e emigrantëve të parregulltë dhe të rrisë dëbimet e tyre. “Nëse sot, falë masave që kemi zbatuar, kemi ulur ndjeshëm numrin e emigracionit ilegal në Itali dhe kemi rritur ndjeshëm kthimet, kur këto norma të bëhen operative do të mund të bëjmë shumë më mirë,” u shpreh Meloni, duke theksuar se qeveria e saj nuk do të ndalet. “Sot si dje, nuk do të na pengojnë të bëjmë atë që italianët na kanë kërkuar të bëjmë me votën e tyre, me çdo kosto.”
Megjithatë, përtej retorikës së fortë politike, realiteti i qendrave bosh në Shqipëri mbetet simboli më i qartë i një marrëveshjeje të ndërtuar mbi baza ligjore të brishta dhe të kontestuara që në fillim një projekt që deri më tani ka prodhuar më shumë kosto financiare dhe përplasje institucionale sesa rezultate konkrete.