SYRI TV/ Qytetari shkodran sorollatet nga hipoteka, nuk trashëgon dot pronën e nënës

Luan Trashani nga Shkodra prej 7 vitesh sorollatet nëpër dyert e hipotekës për të trashëguar pronën e tij. 58-vjeçarit i është drejtuar Syri TV për të kërkuar zgjidhje sa i përket ndryshimit të emrit të pronës së tij, e blerë që në vitin 1959. Ai thekson se banesa është në emër të nënës së tij, e cila ka ndërruar jetë.

Syri TV

Ky është Luan Trashani, 58-vjeçari, banues në lagjen “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës. Ai ankohet për sorollatjet që po i shkakton Hipoteka e Shkodrës për një banesë të blerë që në vitin 1959. Banesa është e regjistruar në emër të nënës së tij, por pasi ajo ka ndërruar jetë, Trashani kërkon që banesa të kalojë në emër të trashëgimtarëve, 3 vëllezërve dhe motrës së tyre.

Pavarësisht ankesave të tij prej 7 vitesh, Trashani thotë se çështja nuk ka marrë asnjë zgjidhje. “14 drejtorë kam kaluar deri tani dhe asnjëri nuk më dha të drejtë, nuk gjej drejtësi. Futem në hipotekë dhe më shohin si një armik, nuk më kryejnë punë” – shprehet Trashani, i cili ka edhe frikën e konflikteve që mund të krijohen nga ky problem.

58-vjeçari i’u drejtua SYRI TV për të kërkuar një zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.