SYRI TV/ Tkurret forca punëtore në vend, të rinjtë 15-29 vjeç largohen në emigrim
Vendi ynë po përjeton një tkurrje të fortë të forcës punëtore pasi gjithnjë e më shumë të rinj po vendosin të emigrojnë. Ndërsa vetë shkalla e lartë e emigrimit është tregues i politikave të këqija të ndjekura nga qeverisja në vend, pasi ato nuk i ofrojnë shpresë të rinjve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Syri TV
Numri i të punësuarve në grup-moshën 15-64 vjeç ra me 19,561 persona në krahasim me të njëjtën periudhë të 2024 sipas INSTAT. Ndonëse ekonomia e vendit u zgjerua me 3.5 % në tremujorin e dytë të këtij viti niveli i njëjtë i papunësisë tregon se problemet lidhen jo me rritjen e personave që kërkojnë punë, por me tkurrjen e vetë forcës së punës.
Rënia e shpejtë e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë po e bën të palexueshëm faktin se sa vende pune po hapen realisht nga zhvillimi ekonomik. Tkurrja më e fortë e numrit të të punësuarve është tek të rinjtë 15–29 vjeç mbi 11 mijë persona më pak të punësuar se një vit më pare citon Monitor. Edhe grup-mosha 30–64 vjeç ka pësuar rënie me mbi 8,500 persona, çka sugjeron se edhe punonjësit me eksperiencë po largohen nga tregu i punës, shpesh drejt emigracionit.
Kriza është ndierë edhe në sektorët me intensitet të lartë pune të tilla si industria dhe bujqësia. Nën-sektorët e ndërtimit, shërbimet dhe aktivitetet sezonale gjithashtu kanë ulur ritmet e rekrutimeve për shkak të kostove në rritje dhe presionit të pagave.
Në një treg pune me më pak ofertë punonjësish, ulja e punësimit reflekton tkurrje të fuqisë punëtore. Në vendet e zhvilluara ulja e punësimit sjell automatikisht rritje të papunësisë, por në Shqipëri një pjesë e atyre që humbin vendin e punës nuk regjistrohen si të papunë sepse janë të gatshëm të largohen jashtë vendit, ose zgjedhin të mos jenë aktivë në treg deri sa të gjejnë kushte më të favorshme.