'U rrah nga forcat e sigurisë'/ Fituesja i çmimit Nobel, Narges Mohammadi u shtrua dy herë në spital pas arrestimit në Mashhad

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, është dërguar dy herë në urgjencë pasi, sipas familjes së saj, u rrah nga forcat e sigurisë iraniane gjatë arrestimit më 12 dhjetor në qytetin verilindor të Mashhadit. Arrestimi ndodhi gjatë një përkujtimi për avokatin Khosrow Alikordi.

Lajmi u bë i ditur nga Fondacioni Narges në platformën X, i cili tha se Mohammadi ka telefonuar familjen e saj të dielën në mbrëmje. “Narges tha se intensiteti i goditjeve ishte aq i fortë dhe i dhunshëm saqë ajo duhej të dërgohej dy herë në urgjencë. Gjendja e saj fizike në kohën e telefonatës nuk ishte e mirë,” thuhet në njoftimin e fondacionit.

Sipas Fondacionit Narges, i drejtuar nga familja e saj, Mohammadi ka deklaruar se është akuzuar për “bashkëpunim me Izraelin” dhe se ka marrë kërcënime me vdekje nga forcat e sigurisë. Për këtë arsye, ajo u ka kërkuar avokatëve të saj të paraqesin një ankesë zyrtare kundër agjencisë së sigurisë që e arrestoi dhe për mënyrën e dhunshme të arrestimit.

Ndërkohë, një grup aktivistësh iranianë, përfshirë regjisorin e njohur Jafar Panahi, i janë bashkuar thirrjeve për lirimin “e menjëhershëm dhe pa kushte” të Narges Mohammadi dhe rreth 40 personave të tjerë të arrestuar gjatë përkujtimit në Mashhad. Në një letër të publikuar nga Fondacioni Mohammadi, aktivistët thanë se ngjarja ishte “një demonstrim i shkurtër i situatës shqetësuese të lirisë dhe sigurisë, si dhe i joefikasitetit dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë iraniane sot”.