Shoku i qelisë ndihmoi Taulant Tomën të arratisej, detajet e planit të 'magjistarit të arratisjes'
Prokuroria e Milanos ka regjistruar një të dyshuar në lidhje me arratisjen e bujshme nga burgu i Operas në Milano të shtetasit shqiptar Taulant Toma, 41 vjeç, i cili u arratis më 7 dhjetor dhe vijon të jetë në kërkim.
I dyshuari është Simone Borella, 25 vjeç, nga Cuasso al Monte (Varese), shoku i qelisë i të arratisurit. Sipas hetimeve, Borella dyshohet se ka ndihmuar Taulantin të largohej nga burgu, duke çmontuar rrjetën mbrojtëse të qelisë dhe duke ndërtuar një litar artizanal me çarçafë të lidhur me fije najloni, përmes të cilit Taulanti ka zbritur nga dritarja e qelisë.
Hetuesit bëjnë me dije se Borella nuk ka arritur të arratisej vetë, pasi nuk ka mundur të kalojë përmes hapjes së krijuar në grilën metalike të qelisë.
25-vjeçari ndodhet i burgosur në institucionin e Operas pas dënimit në shkallë të parë me 12 vite burg për tentativë vrasjeje, vendim i dhënë nga Gjykata e Vareses. Sipas akuzës, ai ka qëlluar me armë zjarri një 27-vjeçar, duke e plagosur rëndë, më 5 janar 2024, përpara një lokali në Arcisate, pasi viktima kishte ndërhyrë për të mbrojtur një vajzë.
Nga ana tjetër, Taulant Toma duhet të vuajë një dënim me burg deri në vitin 2048, ndërsa arratisja e 7 dhjetorit shënon herën e katërt që ai arrin të largohet nga burgu.