Bëri përshëndetjen e Hitlerit në parlamentin gjerman, anëtari i AfD-së i ekstremit të djathtë vihet nën akuzë
Prokurorët e Berlinit kanë ngritur akuza kundër parlamentarit të ekstremit të djathtë Matthias Moosdorf, pasi dyshohet se ai bëri përshëndetjen e Hitlerit në Bundestag.
Parlamenti ia hoqi imunitetin në tetor. Anëtari 60-vjeçar i Alternativës për Gjermaninë (AfD) nga shteti lindor i Saksonisë i mohon akuzat.
Moosdorf akuzohet për përdorimin e simboleve të organizatave jokushtetuese, tha zyra e prokurorit publik.
Ai dyshohet se ka përshëndetur një koleg të partisë me gjestin nazist - i cili është i ndaluar sipas ligjit gjerman - gjatë një seance të Bundestagut në qershor 2023.
Thuhet se vepra penale ka ndodhur në zonën e tualeteve në hyrjen lindore të ndërtesës së Reichstag-ut.
Moosdorf i hodhi poshtë akuzat si "absurde". Ai i tha dpa-s se dosja prej 200 faqesh bazohet në deklaratat e vetëm një personi, një ish-anëtari socialdemokrat të parlamentit.
"Të gjithë dëshmitarët e drejtpërdrejtë - punonjësit e tualeteve, policia e Bundestagut, kalimtarët, portierët dhe mysafirët, gjithsej tetë persona - të gjithë mohojnë rrëfimin e dhënë në padi", tha ai.
Moosdorf ka pasur probleme edhe kohët e fundit brenda grupit të tij parlamentar. Në mesin e shtatorit, ish-zëdhënësi i politikës së jashtme për AfD në Bundestag, u urdhërua të paguante një gjobë të brendshme prej 2,000 eurosh (2,350 dollarë), pasi bëri një udhëtim të paautorizuar në Rusi./ DPA News.