Van Basten rrëfen telefonatën e Berluscon-it, ëndrrën e parealizuar me Baggio-n dhe tërheqjen nga futbolli

Marco Van Basten ka kujtuar momentet vendimtare të karrierës së tij dhe vendimin e vështirë për t’u tërhequr nga futbolli. Ishte korrik 1995 kur mori një telefonatë nga presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi: “Marco, jam presidenti Berlusconi, si je? Të kam marrë Roberto Baggion, mos bëj shaka”.

Në maj të atij viti, pas një konsultimi në Antverp, Van Basten ishte gati të linte futbollin, por ajo telefonatë e ringjalli pasionin për lojën. Ai mendoi: “Unë me Baggio-n… nuk do të ishte keq”. U kthye në Itali dhe iu bashkua ekipit për përgatitjet verore, i vendosur të luante edhe vetëm për një vit tjetër. Takimi me Baggio-n gjatë stërvitjeve shënoi fillimin e një lidhjeje të veçantë: “Të paktën për një vit, do të ishte bukur të luanim së bashku. Luajmë me gjysmën e këmbës funksionale, por ndoshta bashkë mund të bëjmë një futbollist të plotë”, i tha Baggio, duke shpërthyer pastaj në të qeshura të dy.

Por dhimbjet në kyçin e këmbës e detyruan të tërhiqej. Van Basten tregon: “E kisha stomakun copash për shkak të ilaçeve kundër dhimbjeve dhe shpesh kisha të vjella. Kishte ardhur koha të tërhiqesha, nuk mund të ecja më”. Ai përqafoi gjithë ekipin me lot në sy, duke lënë kapitenin Franco Baresi dhe Roberton për në fund. Fjalët e fundit të Baggio-s mbeten në kujtesën e tij: “Dëshpërim! Do të ishte bukur të luaja pranë teje”. Van Basten përfundon me një reflektim mbi karrierën e tij: “Mallkuar qofshin kyçet e këmbëve…”