Protesta e 22 dhjetorit, Vata: Thirrje për pjesëmarrje të gjithë atyre që nuk pajtohen me këtë qeverisje…
Partia Demokratike ka lajmëruar mbajtjen e një proteste kombëtare më 22 dhjetor, në një lëvizje që përfaqësues të saj e cilësojnë si një përgjigje të domosdoshme ndaj një "shteti të kapur" dhe një "farse elektorale". Përmes zërave të saj publikë, opozita ka bërë thirrje për një mobilizim masiv kundër qeverisjes, e cila akuzohet për korrupsion galopant dhe deformim të vullnetit të zgjedhësve.
Në aspektin organizativ, deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata e ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, ka konfirmuar se të gjithë deputetët demokratë janë tashmë në terren, në kontakt me bazën, si pjesë e procesit të analizës së zgjedhjeve të 11 majit, por edhe për të koordinuar mobilizimin për protestën. Vata theksoi se thirrja nuk i drejtohet vetëm strukturave të PD-së, por "të gjithë atyre njerëzve dhe grupeve të interesit që nuk pajtohen me këtë qeverisje". Sipas saj, "janë plotësuar të gjitha kushtet" që qytetarët të shprehin pakënaqësinë e tyre.
Flavio Qarri: E kuptoj. Zonja Vata, raporti pak me bazën në këto momente dhe mbi të gjitha në raport edhe me vendimet e kryesisë, si do të ishte?
Denisa Vata: Atëherë, si të thuash, deputetët e Partisë Demokratike sot të gjithë janë në bazë. Siç e keni parë edhe për shkak të analizës që po bëhet për zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu edhe strukturat, kryetarët e degëve, kryesitë e degëve dhe paralelisht po organizohet edhe protesta, që është me datën 22 dhjetor në orën 17:00.
Dhe të thuash është një koordinim shumë i qartë nga ana e Partisë Demokratike për organizimin e kësaj proteste. Dhe jo vetëm me, strukturat e Partisë Demokratike, por me të gjithë ata njerëz që sot nuk pajtohen me këtë qeveri, me të gjithë ata grupe interesi që nuk pajtohen me këtë qeverisje dhe besoj se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet dhe ka ardhur momenti që populli shqiptar, të gjithë ata që ndihen në opozitë me këtë qeverisje, të jenë në protestë me datën 22 dhjetor.
Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë sa i takon, le të themi, toneve brenda grupit parlamentar, edhe si pjesë e kryesisë, çfarë mund të na thoni zonja Vata?
Denisa Vata: Tonet brenda grupit parlamentar, nuk e di se për çfarë ekzaktësisht po pyesni, por grupi parlamentar i Partisë Demokratike është i qartë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka të njëjtin qëndrim. Pavarësisht sulmeve që janë prodhuar kohët e fundit, por besoj se grupi parlamentar është krejt i qartë në vendimmarrje dhe në atë që bën. Ka zëra, ka njerëz të pakënaqur, ka njerëz që kanë kritikat e tyre, por ok, shërbejnë.
Partia Demokratike është gjithmonë një parti e hapur, një parti që e ka dëgjuar gjithmonë zërin ndryshe, por edhe kritikat, qoftë edhe nga anëtarësia apo nga, strukturat e Partisë Demokratike.
Por e theksoj gjithmonë që këto kritika duhet të bëhen brenda institucioneve të Partisë Demokratike. Partia Demokratike ka institucione dhe uroj dhe shpresoj që këto kritika të bëhen brenda institucioneve të Partisë Demokratike.
Flavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë për t'u rikthyer pak tek protesta e 22 dhjetorit. Si do të jetë strategjia? A është numri i përcaktues? Ora 17:00 mund sigurisht të ngjallë komente. Për të dy kjo pyetje. A keni një skenar që s'e dimë ende?
Denisa Vata: Ne sot kemi një mbledhje të grupit parlamentar, që është njoftuar në orën 14:00. Besoj se do diskutohet rreth kësaj gjëje. Nuk di të them për një strategji konkrete në këto momente. Pastaj kjo është pjesë edhe e organizimit se si do organizohet kjo protestë. Por, do mbetet pastaj për t'u diskutuar, sepse ju e dini është njoftuar edhe Këshilli Kombëtar të mërkurën, ku do diskutohet më gjerë në lidhje me këto pjesët e organizimit dhe mënyrën se si do procedojë, protesta.