Tri herë kampioni i Super Bowl thyen gjurin, Kansas City Chiefs mbeten jashtë playoff-it
Quarterback-u i Kansas City Chiefs, Patrick Mahomes, tri herë kampion i Super Bowl, pësoi një thyerje të ligamentit kryqëzor anterior të gjurit të majtë gjatë humbjes 16-13 kundër Los Angeles Chargers, që la skuadrën jashtë garës për playoff.
“Rezonancë magnetike konfirmoi se Patrick Mahomes pësoi një këputje të ligamentit kryqëzor anterior të gjurit të majtë gjatë ndeshjes së sotme. Patrick dhe klubi po shqyrtojnë opsionet kirurgjikale”, njoftoi ekipi.
Mahomes u dëmtua pak para fundit të takimit, teksa përpiqej të kthente rezultatin në favor të skuadrës së tij. Ai u rrëzua pas një mbrojtjeje nga pas, dhe gjuri i tij i majtë ngeci në tokë, duke shkaktuar dhimbje të dukshme dhe transportimin menjëherë në dhomën e zhveshjes.
Pas konfirmimit të ashpërsisë së dëmtimit, Mahomes dërgoi një mesazh optimist:
“Nuk e di pse duhej të ndodhte kjo. Nuk do të gënjej, dhemb. Por tani mund të mbështetemi vetëm tek Zoti dhe të luftojmë çdo ditë. Faleminderit Chiefs për mbështetjen dhe të gjithëve që më keni kontaktuar dhe dërguar lutje. Do të kthehem më i fortë se kurrë,” tha Mahomes.
Ky dëmtim i rëndë e mban jashtë fushës për pjesën tjetër të sezonit 2025, duke shënuar herën e parë që Kansas City Chiefs mbeten jashtë playoff që kur Mahomes mori komandën e skuadrës që nga Drafti i vitit 2017. Gjatë karrierës së tij, Mahomes ka udhëhequr skuadrën në pesë nga gjashtë Super Bowl-të e fundit, duke fituar tre dhe duke u krahasuar shpesh me Tom Brady-n si një nga lojtarët më të mëdhenj në histori të NFL-së.
Në sfidat e ardhshme, klubi do të duhet të gjejë mënyra për të përballuar mungesën e liderit të tij ofensiv, ndërsa Mahomes fokusohet në rikuperimin dhe operacionin për të rikthyer formën e tij optimale për sezonin 2026.