Arrestohet 'Eskobari grek', pronari i anijes me kokainë nga Amerika Latine dhe 5 anëtarë të ekuipazhit
Zbulohen detaje të reja lidhur me operacionin e madh antidrogë ku është sekuestruar një anije me një sasi të madhe kokaine.
Anija e cila po transportonte një sasi të madhe kokaine nga Amerika Latine në Europë është në pronësi të të ashtuquajturit “Eskobari grek”, Alexandros Angelopoulos, i cili është arrestuar në Katerini,në Greqinë veriore.
Operacioni u krye në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për aktivitetet e një organizate kriminale.
Anija po lundronte pranë brigjeve të Francës, e ngarkuar me një sasi kokaine. Pesë persona janë ndaluar në bord dhe pritet të arrestohen ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar në Greqi, në Katerini, Teba dhe Athinë, shkruan Zougla.
Mes të arrestuarve është dhe Alexandros Angelopoulos, një baron i njohur i kokainës, i cili është edhe pronari i anijes. Ai konsiderohet kreu i organizatës kriminale, një emër i vjetër për autoritetet.
Sipas informacioneve, ai zotëron tre hotele, dyqane dhe anije, njëra prej të cilave ishte ajo që u kap nga autoritetet me lëndë narkotike. Ai është arrestuar dhe dënuar edhe më parë, por më pas ishte liruar.
Zougla shkruan se anija e “Eskobarit grek” ishte nisur nga Nea Michaniona, Greqi, kishte mbërritur në Amerikën Latine dhe aty kishte ngarkuar një sasi të madhe kokaine në hambarët e saj. Sipas informacioneve paraprake, droga ishte e destinuar për tregun europian, megjithëse ende nuk është sqaruar se në cilin port do të përfundonte.
I ashtuquajturi “Eskobari grek” është arrestuar dhe, sipas informacioneve, pritet të akuzohet si financuesi i anijes me ngarkesën e madhe të kokainës, e cila u zbulua duke lundruar pranë brigjeve të Francës.
Anija është tërhequr për dy ditë nëpër Oqeanin Atlantik me asistencën e Marinës Franceze, me qëllim mbërritjen në një port, ku do të kryhet numërimi zyrtar i sasisë së kokainës së sekuestruar.
Pas përfundimit të procedurave, të arrestuarit do të transferohen në Greqi.
Kush është 'eskobari grek?
“Eskobari grek”.ka qenë i arrestuar më parë si “truri” i rrjetit më të madh të kokainës që ka operuar ndonjëherë në Greqi.
Ishte vera e vitit 2004, kur u bë publik lajmi se një anije me emrin “Africa 1” ishte lokalizuar nga autoritetet spanjolle me 5.4 tonë kokainë në hambarët e saj, vlera e së cilës sot tejkalon 500 milionë euro.
Anija ishte nisur nga Pireu më 15 maj 2004 me destinacion të deklaruar Turqinë. Megjithatë, autoritetet ligjzbatuese të Greqisë dhe vendeve të tjera europiane, të cilat kishin nën vëzhgim çdo lëvizje të “Eskobarit grek”, e lokalizuan anijen e tij përmes satelitit duke lundruar në Oqeanin Atlantik drejt bregut perëndimor të Afrikës.
Më 13 korrik, autoritetet spanjolle ndërhynë në anijen “Africa 1”, ku gjetën sasinë e kokainës. Lënda narkotike ishte e paketuar në kuti kartoni të etiketuara si ujë mineral.
Në gusht të vitit 2004, trafikanti i drogës u lokalizua në Shtutgart të Gjermanisë dhe u arrestua. Që nga momenti kur ra në duart të autoriteteve të drejtësisë, ai pretendoi se nuk kishte lidhje me çështjen, por nuk arriti të bindë. Në shkallën e parë u dënua me burgim të përjetshëm, por më pas Gjykata Penale e Apelit me Pesë Anëtarë e Pireut e konvertoi dënimin e përjetshëm në 22 vite burg, shkruan Protothema.